Gati të hyjë në historinë e Malagas, vetëm 5 gola e ndajnë Sadikun nga thyerja e rekordit të dekadës

Ky ka qenë sezoni i duhur për Armando Sadikun, i cili e ka gjetur formën e tij më së miri me fanellën e Malagas. Sulmuesi shqiptar ka një nuhatje të frikshme për golin dhe këtë e ka treguar edhe me klubin spanjoll. Plot 10 gola të shënuar prej tij deri më tani, duke qenë kështu futbollisti që ka shënuar më tepër për skuadrën andaluziane. Ndërprerja i erdhi në momentin kur më pak i duhej, teksa sipas asaj që raporton “Eldesmarque” Sadiku e sheh veten në “valle” për të thyer rekorde. Që nga koha kur Al Thani mori në pronësi Malagan, e cila daton në vitin 2010, numri më i lartë i golave të shënuar në një sezon është 14.

Kështu sulmuesin kuqezi e ndajnë vetëm 5 gola për t’u kthyer në golashënuesin më të mirë të dekadës së fundit për bardheblutë. Në kampionat kanë mbetur edhe 11 ndeshje për t’u luajtur dhe në rast se kampionati rifillon, atëherë shanset janë Sadiku të shënojë emrin e tij në historinë e klubit. Ndërkohë rekordi në gjithë historinë e Malagasë është 24 gola, ndërsa ndiqet më pas nga 18 dhe 16 gola të shënuar në kampionat. Në këtë mënyrë emri i sulmuesit shqiptar mund të hyjë në 5 golashënuaesit më të mirë të të gjitha kohërave në kampionat të klubit spanjoll./Halit Deliabshi-Sport Ekspres/