Gati debutimi i Dzarias te Kukësi, Albi Alla në dyshim

Mundësi për të bërë ndryshime, por ai që shqetëson është Albi Alla, me mbrojtësin që ka pësuar një dëmtim të vogël në gju në seancën e djeshme stërvitore

Në shumë raste Kupa është një mundësi për lojtarët që nuk gjejnë shumë hapësira në kampionat por në një pikë të tillë, Peter Pakult ka “luksin” që jo vetëm t’u japë hapësirë disa futbollistëve, por dhe të bëjë ndonjë eksperiment të vogël. Në seancën e djeshme stërvitore janë prishur disi llogaritë e teknikut austriak, pasi një nga lojtarët që ishte projektuar titullar është dëmtuar. Albi Alla ka pësuar një dëmtim të lehtë në gju, por që mund ta lërë mbrojtësin jashtë fushe për ndeshjen me bardheblutë. Në të tilla kushte përkrah Shametit pritet që të rreshtohet Rustem Hoxha. Mbetet për t’u parë shkalla e dëmtimit të Allës, pasi mund të jetë një shqetësim akoma dhe më i madh, nëse dëmtimi do të jetë më serioz nga se mendohet. Gjithsesi te Kukësi presin ende nëse lojtari do të riaftësohet deri para ndeshjes, edhe pse duket e vështirë që lojtari të jetë gati. Sa i përket pjesës tjetër të formacionit, në portë me shumë gjasa do të jetë Koliçi, ndërsa në mbrojtje do të rikthehet titullar Idrizi nga e djathta, ndërsa në krahun tjetër Rrumbullaku. Në mesfushë ka sërish ndryshime, pasi me pritet të debutojë Irakli Dzaria, i cili do të zërë vendin e Besar Musollit. Gjeorgjiani do të jetë i ndihmuar nga Shkodra, por dhe nga Ethemi dhe Kale nga krahët. Në sulm Bakaj dhe Guri mbeten të konfirmuar, por njëkohësisht dhe pa alternativa.

Formacioni i mundshëm i Kukësit (4-4-1-1)

KOLIÇI – Idrizi, Hoxha, Shameti, Rrumbullaku – Ethemi, Shkodra, Dzaria, Kale – Bakaj – Guri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *