Gati biletat për…gjysmëfinalet

0

Speciale nga FATMIR EFICA

Formati i kupës i ngjan një “piramide”. Për të shkuar në “majën” e saj, çdo tur, me dy  sfida vajtje – ardhje, është i mjaftueshëm për të testuar skuadrat me më shumë ambicie. Katër takimet çerekfinale dy javë më parë, ndoshta sa kanë “cekur” efektin e një hapi të mirëllogaritur për të siguruar secila prej skuadrave një biletë për në gjysmëfinale. Edicioni i 65-të ka rezervuar ndoshta të tjera surpriza. Në grupin “A”, Skënderbeun që ka 4 finale të humbura nëpër edicionet e shkuara, i duket kohë e çuar dëm mos fitimi deri më tani i këtij trofeu, i konsideruar i dyti për nga rëndësia në vend. Goli i shënuar në Laç Nga osmani mund të rezultojë sot me vlera mjaft përcaktuese. Por, mos harrojmë se Laçi gjatë viteve të fundit ka fituar dy trofe dhe është një ekip që nuk i bën hesapet pa “hanxhinë”. Te Kukësi – Tirana mund të ndodhë gjithçka. Bardheblutë, aspak në nivelin e pretendimeve të tyre në kampionat, kanë “rrëshqitur” në vendin e 5-të duke iu larguar disi zonës europiane. Vetëm nëse arrin të fitojë Kupën e këtij edicioni, Tirana mund mbase të “pajtohet” njëherë e mirë edhe me tifozët e saj të flaktë e shumë sedërlinj. Ata (Fanatiksat) kanë ditë që kanë shpërthyer në një “zemëratë” të paprecedentë që kur u vendos që në “folezën” bardheblu, stadiumin “Selman Stërmasi”, të luajë ndeshjet dhe rivali i përjetshëm Partizani. Koha moderne që jetojnë, ndoshta do të “zbusë” inatet e vjetra. Në grupin ”B”, Besëlidhja luan para tifozerisë së saj, që i ka lënë “shtangur” në dy ndeshjet e fundit nga dy barazimet shtëpiake me ekipe modeste si Kastrioti dhe Iliria në grupin “A” të Kategorisë së Parë. Vërtetë lezhjanët ende janë në garë për të rivalizuar Kamzën kryesuese, që ka marrë “arratinë”, por kalimi i tyre në 4-she, do të ishte sa befasues aq dhe fantastik. Nga ana tjetër, Flamurtari kur është në formë nuk pyet për fushën se ku luan. Përvoja e vlonjatëve në këtë kompeticion -kanë arritur të jenë edhe 4 herë fitues – dëshmon se ndeshja e kthimit do të jetë për ta me një “nerv” maksimal. Presidenca e skuadrës në rast eliminimi mund të përshkallëzojë e penalizojë ekipin me masa “shtrënguese” që duhen evituar. Teuta, 3 here fituese e Kupës në një cikël 5-vjeçar – 1995, 2000 e 2005-  bashkë me prishjen e këtij rituali, do të ketë punë të përmbysë një rezultat në dukje të “vockël” nga humbja 0-1 në Shkodër. Krejt i mundshëm ky mision, nëse “djemtë e detit” do të jenë në formën e tyre më të mirë. Mjafton të mos jetë “det i trazuar” luten tani durrsakët. Tjetër shans luan Vllaznia. Sikurse përmbysi në ndeshjen e fundit të kampionatit rezultatin ndaj Flamurtarit nga 0-1 në 3-2 spektakolar, kërkon të “ngulë” spirancën edhe në Durrës…

“Sport Ekspres” sjell ekskluzivisht bilancin konkret, ndërthurur me statistikat e kuriozitete që “intrigojnë” dhe zbukurojnë interesimin edhe për historinë që kanë pasur nga ballafaqimet e mëparshme nëpër edicionet e Kupës të katër çiftet çerekfinaliste që ndeshen sot. Nga verdikti i këtyre sfidave të kthimit do të mësohen dhe katër emrat e gjysmëfinalisteve të edicionit të 65-të të Kupës së Shqipërisë.

Kush do të jenë ato?!…

                     GRUPI “A”

Paradokse korçare, 4 finale të humbura e asnjë trofe në kupë

SKENDERBEU – LACI  (1:1)

– Bilanci: 9 ND, 6 f, 1 b, 3 h, gol. 13:6                                

– Rezultati i kualifikimeve: 3 me 1

HISTORIA – E re, 9-vjeçare është rruga e ballafaqimeve Skënderbeu – Laçi. Në turin e tretë, më 29.10.2008 janë takuar në Laç. Nimani 20’ e Sefgjini 45’, “shuan” baraspeshën e përkohshme të golit të korçarit Gega në 21’. Dy javë më vonë në Korçë, “ujqërit e dëborës” fitojnë thellë. Derdhin një “poker” golash në portën e kurbinasve (shënuan Ballço 36’, Frashëri 54’, 65’ dhe Lika 85’), kundrejt të ashtuquajturit “gol nderi” të Përdodës në 55’ për Laçin. Pesë vite më vonë, në turin çerekfinal të dyja ndeshjet kanë të veçantën se luhen në fusha asnjanëse. Fillimisht në Tiranë fitoi 2-1 Skënderbeu, që përmbysi golin e Sefgjinit në 73’, duke realizuar D. Xhafa 78’ dhe B. Shkëmbi 81’(p). Kthimi në Peqin nuk lë vend për diskutime, kur D. Kërçiku në 69’ i jep sërish më 21.03.2012 fitoren e ngushtë 1-0 korçarëve. Sërish në çerekfinale takohen më 2012. Ndeshja e parë në Laç fitohet nga Skënderbeu 1-0, teksa goli u shënuan nga P. Pejiç ne 84’. Pas dy javësh në Korçë ka dyfishim të shifrave, po për Skënderbeun, nëpërmjet golave të Tomiç e Tahirllarit. Edicionin e kaluar Laçi i rrëmbeu në turin gjysmëfinal të parin kualifikim Skënderbeut. Në Laç më 06.04.2016 shënoi M. Cetkovic në të 48’, ndërsa në Korçë megjithëse fitoi Skënderbeu 2-1, goli në fushë kundërshtare, po nga Cetkoviç në te 48’, bëri që korçarët të “ngelin në klasë”. Ndeshja e parë çerekfinale luajtur në Laç për këtë edicion ka përfunduar 1-1. Ndonëse Laçi shënoi me kavajasin Kanapari në të 69’, korçarët në limitin e takimit, e 92-ta minutë, barazuan me T. Osmanin . Një gol që mund të rezultojë shumë përcaktues edhe për sfidën e sotme.

     

17 vite më parë Tirana luante “tennis” me… Kukësin

KUKËSI– TIRANA (1:2)

– Bilanci: 6  ND, 1 f, 1 b, 4 h, gol. 14:10

– Rezultati i kualifikimeve: 1 me 1                 

HISTORIA – Ka kaluar e para ndeshje më 22.08.1994 me rezultat në tavolinë 0-2 në favor të Tiranës, kjo sepse Kukësi nuk paraqitej në kryeqytet të luante një ndeshje për grupin e 3-të. Më 30 janar 2000 takohen në Kukës në turin e dytë (1/16) dhe ka “paqe” me nga dy gola të shpejtë për F. Ymerin e Tiranës në të 13’, e dy minuta më pas Hallaçi barazonte. Pas tre ditësh ndeshja e kthimit mbyllet me një “goleadë” të pamëshirshme të Tiranës, që fitoi thellë 7-1. Rizvanolli (3 herë) dhe më pas golat e Ymerit, Drizës, Memishit, e Tafajt, kundrejt golit të Gjonit për Kukësin, sjellin kualifikimin komod e të rehatshëm të bardhebluve, karshi një ekipi mik që ngjante “figurant” në fushë. Kalojnë 12 vite dhe Kukësi merr një rezultat fantastik në turin e dytë (1/8), kur realizon fitoren e pastër, befasuese dhe të thellë 4-0 nëpërmjet dopietave nga Ll. Popoviç dhe I. Allmuçës. Ky rezultat u la pak shans përmbysje në takimin e kthimit kryeqytetasve. Vërtetë Tirana fitoi 3-2 me golat e M. Çotës, M. Morinës e G. Likës më 07.11.2012, por edhe në këtë ndeshje ishte Kukësi që mbyllte 45’ e para 2-0 në favorin e tij, me golat e G. Prognit 3’ e I. Allmuçës 28’. Tirana për këtë edicion duket se me fitoren 2-1 në ndeshjen e parë (shënues G. Halili 30’ e A. Taku 45’dhe për kuksianët E. Imami 46’), ka hedhur një hap, por nuk dihet nëse do të jetë në gjendje Tirana të marrë për herë të parë një kualifikim në Kukës?! Përmbysjet në kupë shpeshherë bëhen evidente..

   

                 GRUPI “B”

Vlonjatët bëjnë sfidantin, nuk duan t’i besojnë “rastësisë”

BESLIDHJA – FLAMURTARI (2:1)

– Bilanci: 8 ND, 4 f, 0 b, 4 h, gol. 7:7

– Rezultati i kualifikimeve: 2 me 1

HISTORIA – Mjaft interesant fakti që janë takuar që në edicionin e parë në vitin 1939. Ishin në grupin “C”. Asokohe u kualifikua Besëlidhja, që në fushën e saj fitonte pastër 2-0 dhe humbiste 0-1 në Vlorë. Një ndeshje e vetme për turin e dytë kanë luajtur më 20.01.1971 dhe nëpërmjet dopietës së T. Egerçit në 76’ e 81’, sërish Besëlidhja surprizonte vlonjatët. Ka edhe një “e treta e vërteta”, pikërisht një edicion më pas. Në turin e IV për vendet e ulëta 13-14, në Lezhë fitoi Besëlidhja, ndërsa më 12.04.1972, ndeshja e kthimit në Vlorë u fitua nga bregdetarët, por me shifrat 2-1. Nuk njihej në këtë periudhë goli në fushë kundërshtare dhe pas shtesave u gjuajtën 11-metërshat dhe me rezultatin vërtetë të çuditshëm 11-12 fitonte Besëlidhja, e cila renditi një vend më lart ekipin lezhjan. Kualifikimin e parë Flamurtari ia rrëmbeu lezhjanëve nga dy ndeshjet e luajtur më 19 dhe 26 gusht 1996 për turin e dytë (1/8). Ka ardhur madje me shumë mundim. Ndeshjen e parë në Lezhë e vulosi 1-0 goli i Veselit 89’. Minimalisht 1-0 fitonte edhe Flamurtari takimin e kthimit me golin e V. Daulles në 75’. Koha shtesë nuk dha asnjë ndryshim. ndërsa me 11-mëtërsha me rezultatin 4-3 kapërcen në turin tjetër Flamurtari. Humbja për këtë edicion në ndeshjen e parë, me kuriozitetin se të tre golat i shënuan lezhjanët, një autogol në portën e tyre me D. Smajlin në 75’, kur më parë Kamara 19’ e B. Marashi 47’ e patën çuar rezultatin deri në 2-0, është një “kërcënim” për Flamurtarin, që sot do të bëjë sfidantin në Lezhë, pasi nuk duan më që t’i besojnë “rastësisë”. Tradita e madhe në Kupë e Flamurtarit, me 4 trofe të fituar, është një avantazh, por në fushë duhen llogari të tjera që duhen “kopsitur” mirë.

    

Tradita në kupë, më “favorizuese” për durrsakët

TEUTA – VLLAZNIA (0-1)

– Bilanci: 20 ND, 8 f, 6 b, 6 h, gol. 22:19

– Rezultati i kualifikimeve: 4 me 5  

 

HISTORIA – Para 54 vitesh, në Durrës për turin e parë Teuta fitonte 1-0 dhe në kthim shifrat mbetën 0-0. Vllaznia 7 vite më vonë brenda në Durrës fitoi thellë 4-0, nëpërmjet dygolëshave të Cangës 19’ e 84’ dhe I. Hoxhës 55’, 60’. Takimi i kthimit në Shkodër u mbyll 1-1. Kalon më tej ekipi shkodran. Më 1976, barazimi 0-0 në Durrës bëri që Vllaznia të mos toleronte në kthim, duke fituar pastër 2-0 më 12.12.1978. Pas 3 vitesh erdhi një tjetër kualifikim për Vllazninë në turin e 3-të. Fitoi në Shkodër 2-1 duke përmbysur Basha 80’(p) dhe Gruda 86’ golin e A. Bulkut 30’ për Teutën. Në Durrës ishte Vllaznia që shënoi me M. Zhegën 70’ dhe Teuta barazoi me A. Filjarin në 85’, por pa mundur ta çojë ndeshjen në shtesë. Një takim në grupin “D” më 01.02.1989 luajtur në Shkodër, u mbyll në barazim 2-2. I rikthehet kualifikimeve Teuta në dy ndeshjet e turit të tretë në vitin 1997. Fitoi në Shkodër me golin e A. Dashit 37’ dhe barazoi në Durrës 1-1 (goli nga Koçi 28’ për Teutën dhe Gjuzi 88’ për Vllazninë). Dy fitore të njëjta me rezultatin 2-1, si në Shkodër ashtu dhe Durrës, arriti Teuta në turin gjysmëfinal në vitin 2001. Të tretin kualifikim radhazi durrsakët e siguruan edhe dy vite më vonë. kur po në turin gjysmëfinal fituan ndeshjen e parë në Durrës 2-1 dhe barazuan në Shkodër 1-1. Në vitin 2009, ndeshja në Durrës u fitua 1-0 nga Teuta (goli nga E. Vila 26’), ndërkohë që përmbysi Vllaznia në fushën e saj gjithçka, duke fituar 3-1 me golat nga N. Shtubina 15’, P. Dhëmbi 17’ e D. Smajli 34’, kur Teuta shkurtonte përkohësisht po me E. Vilën 32’. Një tjetër  ballafaqim, që i përket turit gjysmëfinal në vitin 2010. Teuta fitoi asokohe në Durrës 1-0 (shënues V. Mile 44’), por në Shkodër Vllaznia arrin të tjetërsojë 2-0 në favorin e saj rezultatin me golat e S. Haxhibuliç 72’ dhe D. Smajlit 74’. Ndeshja e parë për këtë edicion u fitua 1-0 nga Vllaznia me golin e A. Tafilit 23’, por gjithçka mbetet e hapur, sepse janë dy skuadra që kalimin më tej në kupë e shohin si mundësi për të mos e çuar dëm këtë sezon.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image