Gashi i indinjuar me Bazelin, De Biazi e shtyn drejt Serisë A

0

Sulmuesi u pengua të transferohej në verë në një klub tjetër, pasi kampionët e Zvicrës kërkonin një shumë të konsiderueshme. “Blick”: Ka frikë mos humbë Europianin. Itali apo Gjermani, destinacionet

Shkëlzen Gashi nuk ka ndër mend të qëndrojë tek Bazeli dhe këtë fakt ia ka bërë të ditur edhe drejtuesve të klubit, që në verë ndaluan një transferim të tij, sepse pretendonin shumë para (burime të sigurta pranë “Sport Ekspres” flasin për 12 milionë euro). Tani që merkato dimërore është duke afruar (do të hapet më 1 janar 2016), futbollisti i lindur në Zyrih, në sajë të agjentit, i ka bërë me dije klubit se dëshiron të ndërrojë ekip. “Gashi dëshiron të largohet”. Ky është titulli i shkrimit të publikuar nga e përditshmja zvicerane “Blick”, sipas së cilës thuhet se raporti i lojtarit kuqezi me Urs Fisher është thuajse zero.  “Gashi nuk është aspak i lumtur me momentin që po kalon dhe kjo është e dukshme. Ai ka studiuar disa oferta për t’u larguar nga Baseli që në merkaton e dimrit”, thekson “Blick” që shton gjithashtu se bomberi shqiptar kërkon një skuadër ku të aktivizohet në vazhdimësi për të qenë i gatshëm për Euro 2016. Madje, e përditshmja zvicerane rrëfen dhe se në bisedat që Gashi ka pasur me Xhani de Biazin, i ka treguar se nuk e kupton arsyet që nuk aktivizohet, pasi në stërvitje nuk kursehet.

“Është e çuditshme që një lojtar që është shpallur dy herë golashënuesi më i mirë i kampionatit nuk bën pjesë në formacion. Gashi i ka treguar në fushë aftësitë e tij”, citon “Blick” trajnerin De Biazi. Gjithsesi, trajneri i Kombëtares Shqiptare kërkon të jetë i kujdesshëm në lidhje me këtë çështje duke theksuar se nuk është ai që i këshillon një lojtari të largohet ose jo. “Vendimin e marrin vetë lojtarët sepse janë të gjithë në moshë madhore. Gashi është një djalë inteligjent, me këmbë në tokë dhe shumë i edukuar. Vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij e merr vetë ai”, shton De Biazi. Sigurisht, duke folur për mundësinë e transferimit, “Blick” zbulon se Gjermania dhe Italia janë dy destinacione të mundshme për sulmuesin shqiptar, por ai nuk ka marrë ende një vendim, pasi do të konsultohet edhe me trajneri italian, që sigurisht do ta shtynte për në Serinë A.

10-12 mln euro kërkonte Bazeli për kartonin e sulmuesit, në merkaton e verës, edhe pse tani vlera mund të ketë rënë deri në 8 mln euro, pasi është aktivizuar shumë pak

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here