Gargano: Shumë punë e besim, kështu Tërbuni im do të mbijetojë!

0

Trajneri rrëfehet në një intervistë të gjatë për “Sport Ekspres”: “Isha gati të ikja nga Shqipëria, më dukej sikur do të vdisja ngadalë. Më duket vetja si Sarri i Napolit, me futbollin jetojmë”

Anton Cicani

Sa e vështirë mund të jetë që të marrësh një skuadër që ndodhet në fund të renditjes dhe që nuk e sheh fundin e tunelit?! Shumë, por jo për Xhino Garganon, trajneri i ri i Tërbunit, skuadra pukjane e cila rithërret italianin pas aventurës që ky i fundit ka pasur në stolin e saj edhe kur luante në Kategorine e Parë. E megjithatë, Gargano i ka idetë e qarta dhe përgjegjësia që ka marrë, edhe pse e madhe, është ajo sfidë që e ekzalton edhe më shumë. Ndeshja premierë ka qenë në Kukës, aty ku verilindorët mezi fituan 1-0 dhe Tërbuni u duk me grintë dhe zemër, por e mirëvendosur. Ndoshta me një dallëndyshe nuk vjen pranvera, por dora e trajnerit Gargano është dukur.

– Si e gjetët skuadrën?

– Gjeta një skuadër moralisht shumë poshtë, pak konfuze, e demoralizuar, shumë për shkak të humbjeve dhe për gati 2 javë pa një trajner në stol (për ato, për fat, ishte i pranishëm zëvendësi Tanushi).

– Në çfarë mënyre dhe si ke bërë që ke përgatitur ndeshjen ndaj Kukësit? Si arrite të motivosh djemtë?

– Sa i përket motivimit, nuk kam bërë ndonjë gjë të rëndësishme, sepse ai që kisha motivim më të madh isha unë (entuziazëm dhe pasion), për këtë mundësi të madhe që më ka dhënë klubi. E pamendueshme për mua, nuk do ta kisha besuar kurrë, pavarësisht se me pukjanët kisha bërë shumë mirë, në fazën e dytë të 2014-s, kur mora Tërbunin dhe edhe sot jam krenar se si e rregulluam renditjen, dhe 21 pikët nga 30 të realizuar vazhdimisht, apo përqindjen e golave të shënuar (e lartë) dhe atyre të pësuar (e ulët). Shpesh ndihem se si ndihej Sarri (trajneri i Napolit): e dashuronte dhe e ndiente futbollin në zemër, por askush s’besonte tek ai (ose thuajse). Vetëm në moshë të madhe arriti që të stërviste në nivele të larta. Ja unë provova të njëjtat situata në karrierën time dhe e kam ndjekur ëndrrën ndaj kam frikë që të zgjohem.

Do të doja t’iu tregoja një anekdotë. Kur më telefonoi Tërbuni në janar të vitit 2014, isha gati që të kthehesha në Itali përgjithmonë dhe dy ditë përpara nisjes time (kisha biletën e avionit në dorë). Thërritem nga ata, një vit më pas, më ndodhi e njëjta gjë, doja të kthehesha në Itali, sepse nuk kisha ekip, shumë pak persona më kishin dhënë mundësi (shumë premtime dhe shumë fjalë). Rezistova sepse, dua një femër shqiptare, jam i lidhur shumë me të. Kam rezistuar dhe kam kapërcyer kafshata të hidhura, sepse e dua. Shumë herë mendoja që të hiqja dorë, por falë asaj, qëndrova. Më pas, pata edhe ndarjen nga jeta të mamasë time dhe gruan e kam pasur pranë. Kam bërë gjëra të rëndësishme futbollistikisht në Shqipëri, por askush s’ka dashur t’i dallojë, ose duhet të kualifikohesha si menaxher. Të tjerë më premtonin punë dhe nuk ndodhte asgjë. Po vdisja nga brenda.

Ja pse ndoshta futbollistët e Tërbunit i ka prekur edhe kjo historia ime, vuajtjet e mia, motivimet që më kanë bërë të besoj ende tek unë, duke i treguar skuadrën çfarë kam provuar dhe gjëra që i kanë prekur zemrën, me fjalë të kuptueshme. Dua të jem gjithmonë i sinqertë me futbollistët e mi (në të mirë dhe të keq).

– Tani që ndeshja me Kukësin është luajtur, ke menduar nëse do të mund të kishe bërë diçka ndryshe për të fituar ndeshjen, apo barazuar. Nëse po, çfarë?

– Jo, sepse unë i njoh shumë mirë shumë skuadrat e Superligës, Kategorisë së Parë (kam parë ndeshje dhe kam mbajtur kontakte). I vetmi peng i imi sinqerisht, është ai që nuk munda të gëzoj një ditë më shumë për të përgatitur ndeshjen (kam punuar me skuadrën vetëm dy ditë), sepse unë kam vetëdijen, që nëse do të kisha vendosur Kukësin në kushte për të luajtur në një mënyrë të caktuar, duke i sulmuar lart (pa i pritur dhe me presing), duke mos i lënë të arsyetojnë, duke i mbajtur në fazën defensive sa më të ulët, me futbollistë që i sulmonin një kundër një (ashtu si ndodhi në pjesën e dytë), skuadra ime mund të kishte fituar ndeshjen. I tregova skuadrës mënyrën se si luante Kukësi, skemat që përdorte dhe lëvizjet që bënte. Sigurisht, mendova për një rezultat tjetër, por nuk shkoi kështu. Megjithatë, vetëdijen se bëmë të dridhej një nga skuadrat më të forta ia transmetova djemve. Në fakt, ishte hap i rëndësishëm për futbollistët, pasi iu rrit vlerësimi dhe në autobus nuk ishin të zhgënjyer, por plot me energji dhe më kërkuan që t’i sillja në formë fizike.

– Ju e dalluat që kishte probleme të brendshme, tek klubi?

– Problemet tona në brendësi të skuadrës, janë dëmtime dhe forma e dobët fizike (skuadra kohët e fundit nuk kishte punuar shumë, deri në ardhjen time). Menjëherë punuam në fazën defensive (statistikat më thonin këtë aspekt negativ, në sajë të golave të pësuara), ndaj analizova këtë aspekt dhe kërkova më shumë mbulim dhe një manovër më fluide.

Sa i përket problematikës së klubit, nuk janë të kompetencës time, unë dua të merrem vetëm me skuadrën, por një gjë mund të them: në takimin tonë të parë, presidenca më kërkoi se çfarë tip lojtarësh do të më shërbenin për sistemin e lojës. E vlerësova këtë disponibilitet të tyre, por në të njëjtën kohë u përgjigja: do të punoj dhe do të përshtatem me futbollistët që kam në grup, sepse është qëllimi im t’i vlerësoj dhe t’i vë në kondicion për të dhënë më të mirën. Nuk kam dëshirë të madhe që të shpenzohen para, besoj tek të rinjtë dhe që ne trajnerët duhet të tregojmë vlerat në këtë formë dhe të bëjmë të mundur që disa lojtarë të jenë polivalentë (të dinë të luajnë në zona të ndryshme të fushës). Mua personalisht më pëlqen të zbuloj futbollistë në role që nuk janë provuar kurrë, duke i treguar se mund të bëhet edhe më shumë funksional për skuadrën dhe më i fortë. Këtë ide, në vetëm dy ditë punë, e kam konsumuar me një futbollist të Tërbunit dhe pres që të më japë disponibilitet. Do të nis këtë fazë ndryshimi, pasi jam i sigurt se nuk gabohem.

– Pas ndeshjes, çfarë ju thanë drejtuesit e klubit?

– Këto ditë, drejtuesit më kanë qëndruar shumë pranë, edhe gjatë ndeshjes (mungonte presidenti Frroku, vetëm për një shqetësim shëndeti), për pjesën tjetër punuam pranë. Ishin të pranishëm në stërvitje dhe analizuam bashkë skuadrën që duhet të luante, duke shprehur edhe mendimet dhe opinionet e tyre. Edhe zëvendëstrajneri më ka qëndruar shumë pranë, duke i dhënë edhe këshilla skuadrës.

Që në fund të pjesës së parë, të gjithë drejtuesit erdhën të më uronin për sjelljen që skuadra kishte, por në fund të ndeshjes, drejtori teknik më pa të mërzitur për humbjen dhe më tha: i vumë poshtë, mendoj se ky është suksesi më i madh… nga këtu duhet të rinisemi. E kështu u përqafuam.

Dhe që ditën e martë (dje) u rigjetëm në fushë, besoj se kemi vetëdije në aftësitë tona dhe mund t’ia dalim në ëndrrën për të qëndruar në Superligë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image