Gargano: Ekipi ka probleme, luajmë për pikë kundër Kukësit

0

 

Trajneri ka zhvilluar stërvitjen e parë me lojtarët, Ai është i pakënaqur me përgatitjen fizike dhe taktike të tyre 

 

Gani Pema

 

Trajneri i ri i Tërbunit, Xhino Gargano e ka nisur vrullshëm punën e tij në krye të skuadrës pukiane. Ai ka marrë detyrën ditën e enjte dhe dje ka kryer stërvitjen e parë me grupin. Italiani ka pikasur që në seancën e parë stërvitore problemet e ekipit dhe është i vetëdijshëm se ka shumë punë për të bërë. Në një intervistë për gazetën “Sport Ekspres”, Gargano shpreh pikëpamjet e tij për skuadrën dhe shprehet se “djemtë e tij” kanë shumë dëshirë për të punuar dhe për të marrë më të mirën nga ky kampionat pavarësisht pozitave.

Problemet – Trajneri është i shqetësuar për gjendjen në të cilën e gjeti ekipin. Ai shprehet se futbollistët janë dobët fizikisht dhe nuk janë të përgatitur mirë edhe në aspektin teknik. “Djemtë duan të reagojnë, por ata nuk janë mirë në anën fizike dhe nuk kanë punuar mirë edhe taktikisht”.

Stërvitja – Italiani e ka filluar me ritëm të lartë edhe stërvitjen.  Seancën e parë ka zgjatur një orë e 45 minuta. Ai është i ndërgjegjshëm se kjo është një ngarkesë e madhe, por lojtarët duhet të jenë shumë të përgatitur për ndeshjen ndaj Kukësit. “ Stërvitja e parë zgjati për 1 orë e 45 minuta. Punuam me intensitet dhe i kërkova falje djemve, pasi i dhashë menjëherë ngarkesë të lartë. Ata më mirëkuptuan dhe më kërkuan që të vazhdonin të punonin me ritme të tilla. Në seancën e parë punuam shumë me aspektin taktik dhe me pjesën defensive”, tha Gargano.

Kukësi –Tekniku ka folur edhe për ndeshjen e nesërme kundër Kukësit që do të jetë edhe e para për të në bankinën e Tërbunit. “Nesër luajmë kundër Kukësit dhe shpresojmë që t’i ndalojmë ata. Sot do të u tregoj anët e forta të tyre dhe të dobëta. Ne jemi të vendosur për t’i marrë të paktën një pikë”.

Risia – Trajneri i ri ka edhe një metodë e cila nuk përdoret shumë në kampionatin shqiptarë. Në mënyrë që të jetë krejtësisht në ndihmë të skuadrës ai ka përgatitur një skedë të lojtarëve të Kukësit me dobësitë dhe pikat e tyre të forta dhe do të ua shpërndajë lojtarëve të tij në mënyrë që të kuptojnë forcën e kundërshtarit që kanë përballë. ”Kam përgatitur për çdo lojtar të Kukësit nga një skedë me anët e tyre më të forta dhe më të dobëta në mënyrë që t’i tregojë futbollistëve të mi se çfarë kundërshtari do të kenë përballë”, përfundon Gargano.

 

 

 

Sulmataj: Sfidë e veçantë për mua

 

Për mesfushorin Sulmataj kjo ndeshje do të jetë e veçantë, pasi luan kundër ekipit që e nxori si futbollist. “Ekipi i Tërbunit është përgatitur për këtë sfide dhe me ardhjen e trajneri të ri, Gargano gjërat shpresoj të shkojnë në rrugën e duhur. Ne nuk shkojmë si turist në Kukës, por do të tentojmë t’i rrëmbejmë pikë atyre”, tha mesfushori për “Sport Ekspres”. Ai më pas ka folur edhe për faktin se do të luajë kundër ekipit që e formoi si futbollist. “Do të jetë një sfidë e veçantë për mua, pasi luaj kundër ekipit të vendit tim. Nëse shënoj nuk do të festoj, por shpresoj që të marrim pikë në mënyrë që të largohemi nga zonë e ftohtë”, shprehet kuksiani i Tërbunit.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image