Gara në Superiore, goli spektakolar dhe e ardhmja: Rrëfehet Regi Lushkja

Regi Lushkja shmangu humbjen e Laçit kundër Kastriotit, teksa shënoi golin e barazimit në minutat shtesë. Mesfushori kavajas, i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH pranon që ka marrë mesazhe për golin e realizuar, por jo nga lojtarët e Tiranës. “Kam marrë mesazhe nga tifozët tanë, jo nga lojtarët e Tiranës. Rëndësi ka të marrim pikët tona, kjo është detyra jonë”, u shpreh fillimisht mesfushori në emision.

EKIPI MË I FORTË – “Partizani dhe Kukësi kanë qenë ekipet më cilësore. Të tjerat kanë pasur luhatje. Kukësi është më lart, por është cenuar nga fusha. Partizani ka bërë një kampionat më të mirë, e ka marrë çdo ndeshje si finale dhe e ka merituar vendin e parë”.

MBIJETESA – “Është garë e fortë për mbijetesën. Me këtë fitore Tirana ka hedhur një hap pozitiv. Kastrioti ka ekip të mirë, me lojtarë të rinj dhe me një trajner që e ka bërë të luftojë për të qëndruar mes më të mirëve”.

NDESHJA ME KASTRIOTIN – “Duke qenë një ndeshje pa tifozë, ka ritëm të ulët. Sikur të vë në gjumë. Gjithsesi ishte ndeshje e luftuar, Kastrioti e kishte jetë a vdekje. Edhe ne donim pikët tona për në Europë. Kastrioti luajti më mirë pjesën e dytë. U munduam t’i mbajmë larg. Sikur na hyri pak frika dhe u tërhoqëm. Pastaj shkoi ashtu si shkoi”.

GOLI I SHËNUAR – “Po e ruaja ata moment. Ata ishin futur në zonën e pesë-metërshit. Kisha besim që topi do vinte tek unë dhe u tërhoqa pak sekonda para se të krosohej. Pastaj shënova golin që e keni parë edhe ju”.

ASPEKTI PERSONAL DHE EUROPA – “Po të fitonim, 90% do ishim në Europë. Kemi tre pikët me Kamzën dhe do ishim më të qetë. Kemi besim, besoj se do ia dalim. E kemi grupin e mirë dhe nuk na mungon asgjë. Aspekti personal? Ky kampionat nisi me gol, i shënova Kukësit. Kam pasur disa ndeshje të mira. Jemi drejt objektivave tona”.

“Vjet ishim më mirë, patëm ecuri më të mirë. Shkuam në finale të Kupës. Kemi ndryshuar trajnerë, ikën Rexhinaldo e Uzuni. U afruan edhe të rinj që ndoshta nuk janë ambientuar. Është sezoni i tretë te Laçi. Besoj se kam shkuar mirë. Ka pritshmëri më të larta. Do shohim më vonë se ku do ta vijoj të ardhmen. Ëndrra është të luaj jashtë vendit. Brenda për brenda nuk është mirë që të flas për gjëra konkrete”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *