Gafuri nuk mbush muajin, largohet nga Flamurtari

Mesfushori u largua për herë të parë nga Tetova, por duket se pak javë larg familjes e kanë bërë të pendohet

Merr fund pa nisur karriera shqiptare e Argjent Gafurit, i cili prej fillimit të këtij viti u bë pjesë e Flamurtarit, por duket se është penduar shpejt. Mesfushori 28-vjeçar, i cili ka luajtur gjatë gjithë karrierës te Renova, ku ishte një nga yjet e skuadrës, në fund të vitit të shkuar pranoi ofertën e Shpëtim Duros dhe ishte një goditje mjaft cilësore për Flamurtarin, por ishte e thënë që “martesa” të ecte mbarë.

Ndarja për herë të parë nga familja dhe shpërngulja larg vendlindjes duket se kanë peshuar së tepërmi te futbollisti, i cili që para një jave njoftoi Duron se nuk dëshironte të qëndronte më në Shqipëri. Gjithçka perfekte në çdo drejtim, në Vlorë, por mallit për familjen nuk i bëhet derman as me kontrata të rëndësishme e as me garancinë e një roli prej protagonisti në një skuadër super, në një qytet të uritur për futboll të rëndësishëm.

Ditën e djeshme Gafuri nuk u përfshi fare në protokollin e ndeshjes kundër Partizanit dhe nuk kishte si të përfshihej, sepse kishte ikur që të enjten për në Tetovë. Udhëtim vetëm vajtje, me Shpëtim Duron që është dorëzuar, e ka pranuar vendimin e futbollistit që në planet e trajnerit kuqezi konsiderohej një lojtar i rëndësishëm, i cili së bashku me Muaremin do të mbyllnin problemet e Flamurtarit në organizim e fantazi.

Ka një problem: Gafuri ka firmosur në Vlorë dhe dokumentacioni është ende në zyrat e klubit vlonjat. E ka në dorë administratori Sinan Idrizi të ardhmen e mesfushorit dhe duke e njohur, nuk është çudi që ta bllokojë, edhe pse duket një rast i veçantë, ku është mëkat që Flamurtari të nisë luftën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *