“Futbollin e nisa nga një shok i lagjes”, Klaus Gjasula me leksion të pastër: Shqiponja në gjoks, nuk ka gjë më të bukur

0

Nga Klaudio Ndreca

Klaus Gjasula është emri që ka surprizuar më tepër tifozët e Kombëtares në ndeshjet që kuqezinjtë janë drejtuar nga Reja. Nëse për emra si Keidi Bare, ishim të mësuar dhe kishim njohuri rreth kualitetit që zotëronte, ndërsa mesfushori i Paderborn nuk kishte luajtur me herët me Shqipërinë.

Por menjëherë do të merrte vendin e titullarit të padiskutueshëm. Në një intervistë për “Player on Focus”, Gjasula ka rrëfyer pak nga karriera e tij, duke e nisur që me hapat e parë. Futbolli për të nisi nga ftesa e një prej miqëve të lagjes, që e prezantoi në një skuadër. Ndërkohë kur flet për Kombëtaren, mesfushori ka vetëm krenari për fanellën që mban veshur. Madje me një leksion të pastër, duke mos e parë grumbullimin me Shqipërinë si një detyrim që duhet mbyllur, por mezi e pret kohën për të veshur fanellën e origjinës.

“Ne kemi pasur një fushë futbolli prapa pallatit dhe takoheshim aty në lagje. Një ditë më tha një shok që nëse doja që të shkoja me të në një klub futbolli që kishte nisur ai. Kam shkuar me të dhe kështu e nisa këtë rrugëtim. Dalja si profesionist? Ndeshja e parë “e vërtetë” që kisha ishte në Bundesligën 2. Ishte një gjë e madhe për mua, pasi e kisha pritur gjatë dhe ishte si ëndërr. Më e bukura ishte që shënova një gol dhe fituam 2-0.

Për një futbollist nuk ka gjë më të madhe se të luaj për gjakun dhe vendin e tij. Për këtë arsye ka qenë një ëndërr e realizuar kur më erdhi ftesa. Nuk ka gjë më të bukur se të luash me shqiponjën te gjoksi. Tani jam afruar edhe më tepër me Shqipërinë, ndërsa Kombëtarja më ka ndihmuar pasi vij më shpesh aty.

Vlerësimi më motivon shumë dhe sa herë që iki nga Shqipëria dhe shkoja në Gjermani për të bërë stërvitjen me klubin, mezi i prisja ditët që të bëja sërish rrugën dhe të grumbullohesha me Shqipërinë”, ka thënë Gjasula. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.