“Futbollin e mirë do e shihni në korrik”, Nexhipi tregon problemin e Kukësit: Të na ndihmojnë se janë lojtarë bazë, nuk kemi vështirësi financiare

Data është vendosur për rikthimin e Superiores, ndërsa nga e hëna klubet do të shkelin sërish në fushat e gjelbërta për të filluar stërvitjet. Mungesa 2 mujore e aktivitetit futbollistik ka dhënë ndikimet e veta te lojtarët, të cilët do të hasin vështirësi në arritjen e formës së duhur fizike. Këtë e pohon edhe drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi, i cili në një intervistë për “Syri TV” flet për rinisjen e Superiores.

Nexhipi tregon se një problem në këtë moment te verilindorët janë futbollistët që gjenden jashtë kufijve të Shqipërisë, të cilët janë edhe loltarë bazë në formacion. Ndërkohë si pasojë e mungesës së gjatë jashte fushave, drejtori sportiv i Kukësit shprehet se duhet të presim një muaj për të parë futboll të bukur. Sa i përket kontratave, këto të fundit nuk shihen si një problem për Nexhipin, ndërsa shton se Kukësi nuk është i prekur nga vështirësitë financiare dhe pagesat për futbollistët janë kaluar.

Kukësi lehtësim për lojtarët që vijnë nga jashtë?

“Ne kishim një bisedë me FSHF-në dhe në momentin që qeveria do të na japë “ok” për të filluar stërvitjen në grup. Shpresojmë që edhe FSHF-ja të na ndihmojë me lojtarët që kthehen nga vendet e tjera. Kërkojmë që lojtarëve tu bëhet testi, të stërviten në grup dhe më pas të rikthehen në shtëpinë e tyre. Jemi në pritje të vendimit të qeverisë për aktivitet në grup”.

Sa ju penalizojnë këta lojtarë që janë jashtë Shqipërisë dhe nëse rikthehen duket të vetë-karantinohen?

“Janë lojtarë bazë të formacionit. Shpresojmë që qeveria të marrë një vendim dhe të dimë ku jemi. Të  gjithë mezi presim të fillojmë pasi klubet e Superiores u treguan të gatshme për tu rikthyer sa më shpejt”.

Kukësi pro rifillimit të futbollit, Safet Gjici ka thënë për pjesëmarrje në Champions?

“Ajo që u vendos atë ditë është një gjë e mirë pasi koha është e shkurtër dhe për futbollistët është e vështirë pasi kanë 2 muaj pushim dhe rikthehen në fushë. Deklarata e presidentit ju e dini që ai gjithmonë ka ambiciet e tij dhe ne do të japim maksimumin për të fituar dhe për të zhvilluar në mënyrën më të mirë pjesë e mbetur të sezonit”.

Sa mendoni se do i kushtoj karantina e gjatë klubeve, problemet?

“Është një fillim i shpejtë por koha nuk na premtonte ndonjë gjë tjetër. Si një ish futbollist e di shumë mirë sa e vështirë është që ta marrësh veten pas një pezullimi të gjatë të aktivitetit sportiv. Mund të rritet përgatitja fizike e lojtarëve nëpërmjet ndeshjeve. Shpresojmë mos kemi lëndime, por futbollin e mirë shpresojmë ta shikojmë në korrik pasi lojtarët do të kenë nevojë për 1 muaj kohë që të gjejnë formën më të mirë fizike”.

Kontratat e lojtarëve

“Me kontratat e lojtarëve presim ndonjë vendim nga UEFA dhe nuk shpresojmë të kemi probleme pasi shumica në klubin e Kukësit e kanë kontratën edhe për vitin  tjetër. Kukësi nuk ka probleme financiare pasi ditën e djeshme janë bërë pagesat e fundit“, ka deklaruar Nderim Nexhipi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *