Futbolli nuk i trembet terrorit, Ajaks e Junajtid për trofeun e ëndërruar

0

Futbolli është tronditur nga sulmi terrorist me bombë në një arenë koncertesh në Mançester, por nuk ndalet, sepse sot në mbrëmje Ajaks e Mançester Junajtid përballen në finalen e madhe të Europa League. Në letër Junajtid është favorit, por Ajaksi ka një grup lojtarësh shumë të talentuar, edhe pse me moshë shumë të re. Edhe historia nuk duhet nënvlerësuar: Ajaksi ka fituar 4 Kupa Kampionesh dhe 1 Kupë UEFA, ndërsa Junajtid 3 Kupa Kampionesh dhe asnjë Kupë UEFA!

Pragndeshja – Akti terrorist në “Manchester Arena”, që shkaktoi të paktën 22 viktima, ka goditur jo pak moralisht klubin e Mançester Junajtidit. Aq më shumë që ngjarja ka ndodhur vetëm pak orë nga finalja e Ligës së Evropës përballë Ajaksit në “Friends Arena” të Stokholmit. Për shkak të sulmit me bombë në Mançester, policia suedeze ka marrë masa ekstreme sigurie për finalen e sotme, teksa UEFA ka konfirmuar se nuk ka informacion për ndonjë sulm të mundshëm dhe se takimi do të luhet sipas planifikimit, sonte në mbrëmje në orën 20:45.

Forcat anti-terror në aksion – Gjithsesi, policia suedeze dhe të gjithë agjencitë e sigurisë në këtë vend janë vendosur në gatishmëri ekstreme pas ngjarjes së të hënës në mbrëmje në Mançester. Forcat speciale të njësisë anti-terror në policinë suedeze kanë krijuar kordonë sigurie në rrethinat e stadiumit “Friends Arena” ku sonte në mbrëmje do të luhet finalja e Ligës së Evropës mes Junajtidit e Ajaksit. Mediat britanike kanë konfirmuar nga ana tjetër se të dy klubet, si klubi i Ajaksit dhe ai i Mançesterit, do të shoqërohen nga forca të shumta policie në stadium, teksa masa të forta janë marrë edhe për sigurinë e jetës së tifozëve që do të jenë të pranishëm në stadium. Të gjithë biletat në stadiumin e Stokholmit me kapacitet 50 mijë vendesh janë shitur.  

FORMACIONET ZYRTARE

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here