Futbolli në shkolla, në Tiranë nis projekti “Grow”

Më mirë vonë se kurrë, mund të thuhet në rast të tilla, sepse në Shqipëri sistemi arsimor i kushton shumë pak rëndësi programit të edukimit fizik dhe përfshirjes së fëmijëve në sport, por diçka po lëviz.

Pas startit zyrtar nga Elbasani të projektit ambicioz “Grow”, koordinatorët përkatës pranë FSHF-së të angazhuar maksimalisht me zbatimin e plotë të programit që dikton futbollin e fëmijëve në shkolla, kanë nisur menjëherë punën e tyre në terren. Sot, fëmijë të klasave të para dhe të treta në dy shkollat publike 9-vjeçare kanë qenë pjesë e orës së futbollit në lëndën e edukimit fizik, si pjesë e marrëveshjes për projektin “Grow”. Më konkretisht, ora e futbollit në lëndën e edukimit fizik u realizua sot te shkolla “Gjon Buzuku” dhe te “Ramazan Jarani”, në të cilat mbi 80 fëmijë të klasës së parë dhe të tretë, djem dhe vajza janë zbavitur me njeri-tjetrin.

37 djem dhe 27 vajza të shkollës “Gjon Buzuku” kanë kaluar orën e edukimit fizik me lojën e futbollit në një argëtim të plotë mes tyre, teksa 20 fëmijë të tjerë ishin edhe në shkollën tjetër “Ramazan Jarani”, po në kryeqytet. Argëtimi dhe pasioni i këtyre fëmijëve për futbollin ishte i dukshëm teksa të gjithë bashkë luajtën gjatë orës së edukimit fizik mes një entuziazmi që karakterizon fëmijët.

Zbatimi i programit “Grow” do të mbikëqyret çdo ditë nga një skuadër e posaçme koordinatorësh pranë FSHF-së për të asistuar të gjithë mësuesit e edukimit fizik me gjithçka ata kanë nevojë, për një mbarëvajtje sa më të mirë të projektit mbi futbollin e fëmijëve në shkolla.

Projekti “Grow” nisi këtë vit të parë të tij zbatimin edhe në Shqipëri me fëmijët e klasave të para dhe të treta. Dhe në shtrirjen gjithëvjetore programi do të aplikohet në 200 shkollat 9-vjeçare në rang kombëtar, teksa në vitin e dytë dhe të tretë të tij, numri i shkollave që do të jenë pjesë e projektit do të rritet shumë më tepër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *