“Futbolli ka vite që vritet, jemi vite dritë larg të tjerëve!”

Një javë pa futboll. Edhe pse cilësia nuk është kushedi, sigurisht që shumëkujt i ka munguar. Ndjekës të kampionatit nuk janë vetëm ata që shohim në stadiume, pasi ka shumë tifozë brenda dhe jashtë vendit që e ndjekin përmes Supersport.

Me shumë mundësi në fundjavë do të luhen ndeshjet e Kupës, por gjithsesi ende nuk është marrë një vendim. Nesër do të ketë një takim me kryeministrin Rama dhe ministra të kabinetit të tij qeveritar, kurse sot ishte Armand Duka ai që foli në lidhje me vazhdimësinë  e kampionatit.

“Kemi lajmëruar se është një mbledhje ku do marrin pjesë ministra, kryeministra, klubet shqiptare dhe do të diskutojmë për problematikën që kemi dhe çfarë mund të bëjmë për ndryshimet ligjore për të mirën e sportit, futbollit në rastin tonë. Nëse nuk rikthehet policia e shtetit? Do ta diskutojmë nesër në takim. Nuk mund ta di ende”, është shprehur Duka për “Ora News”.

Olsi Rama, drejtori i përgjithshëm i Partizanit, është optimist se kjo situatë do të zgjidhet: “Mendoj se është një proces i cili do të kalojë së shpejti, duke gjetur gjuhën e përbashkët dhe duke vijuar garën në lojën më të bukur, futbollin. Gjithmonë jemi të përgatitur për çdo lloj situate. Do ta kthejmë çdo aspekt të saj në një aspekt pozitiv për klubin tonë”.

Skënder Gega e ka komentuar gjithashtu situatën që ka përfshirë futbollin shqiptar: “Klubet janë pajtuar me këtë vendim. Besoj dhe shpresoj që t’i bëjë mirë. Ditët kalojnë shumë shpejt. Ne jemi stërvitur për shumë arsye. Edhe na ka shërbyer, pasi ka pasur ndoshta edhe probleme, megjithatë duhet ta fillojmë garën bashkë dhe gjërat të mos përsëriten. Duhet të jemi më optimist për të ardhmen.

Unë jam për një shtet të fortë. Edhe Federata brenda shtetit besoj se do të gjej një bashkëpunim dhe secili të marrë përgjegjësinë e vet. Por edhe ne si pjesë e futbollit të jemi shembull dhe duhet të japim edhe mesazhet e “Fair Play”. Sporti duhet të na bashkojë dhe jo të na ndajë”.

Një tjetër personazh që ka folur është edhe Bamir Topi, i cili dikur ishte shpesh në stadium në ndjekje të Tiranës. “Futbolli mos mendoni se është vrarë në 24 orët e fundit. Futbolli ka vite që vritet çdo ditë. Shqipëria nuk e ka luksin që të trajtohet me stjuartë, sikurse janë vendet e tjera. Janë vite drite larg”, deklaroi ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *