Futbolli italian mbetet në llum, zgjedhjet për president federate dështojnë

Nuk ka president federate për futbollin italian. Mes kaosit total dhe turpit për eliminimin nga Kupa e Botës, Italia është e paaftë të bashkohet dhe të gjejë një person që ta udhëheqë drejt ndryshimit dhe reformave rrënjësore.

E kërkoi revolucionari Damiano Tomazi këtë gjë, por presidenti i Shoqatës së Futbollistëve nuk kishte mbështetjen e të tjerëve, e klubeve të fuqishëm, që janë mësuar të bëjnë si të kenë dëshirë, pak rëndësi ka si ecën futbolli italian.

Në garë sot ishin tre kandidatë: Tomazi, Gabriele Gravina dhe Kozimo Sibila.

Në votim u eliminua i pari Damiano Tomazi, i cili mori rreth 20% të votave, ndërsa Sibilia e Gravina ndanë pjesën tjetër të votave.

Në votimin e dytë, atë ku duhej 50% +1 votë për të fituar, erdhi dështimi total i gjithë sistemit të futbollit italian, sepse nuk u gjend një marrëveshje që të votohej vetëm për njërin nga kandidatët dhe Liga Kombëtare e Diletantëve (e Sibilias) i la skedat e bardha, duke bërë që 59% e skedave të dilnin bosh dhe të mos arrihej shumica e nevojshme, me Gravinën që arriti deri në 39%.

Çfarë ndodh tani? Federata mbetet pa president, do të caktohet një komisar për qeverisje të përkohshme dhe kaosi vazhdon.

“Një humbje për gjithë sistemin, unë përfaqësoja lotët e futbollistëve në San Siro kur u eliminuan nga Suedia, por me sa duket Italia nuk e ka qejf ndryshimin, në nivel institucional vuajmë shumë”, tha Tomazi pas zgjedhjeve.

“Kjo situatë është për të qarë, jo për qeshur. Në vend që të bashkohemi, bëjmë garë kush të kandidojë”, u shpreh ish-presidenti i Federatës Italiane, Xhankarlo Abete.

I qartë presidenti i Napolit, De Laurentis: “Futbolli ynë duhet rindërtuar. U mblodhëm kot, e dija”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *