Futboll nga shtëpia/ FSHF vjen me nismën e veçantë, kthen gjithë vëmendjen nga fëmijët

Federata Shqiptare e Futbollit vjen me një nismë të veçantë që ka në qendër të vëmendjes fëmijët. Kujdesi për të vegjlit ka një rëndësi të madhe për FSHF-në, ndërsa në këto ditë të vështira izolimi futbolli në ambientet e shtëpisë duket zgjidhja më e mirë për të mbajtur fëmijët të shëndetshëm si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht.

Me anë të një fushate në kanalet sociale, qeveria e futbollit shqiptar nxit fëmijët të qendrojnë nëpër shtëpitë e tyre, ku ta rrethojnë veten me sportin më i dashur në botë. Videot e djemve dhe vajzave të vogla duke luajtur futboll në ambientet e tyre të shtëpisë kanë nisur të ndahen nga FSHF-ja me të gjithë publikun, ndërsa është ngritur edhe një juri që do të përzgjedhë 20 më të mirat prej tyre. Madje nuk mungojnë as çmimet, ku mund të bëjnë të tyren një uniform të personalizuar të Kombëtares./Sport Ekspres/

Njoftimi i FSHF-së:

Federata e Futbollit ka nisur një fushatë me qëllim motivimin e fëmijëve dhe kujdesin për ta gjatë periudhës së karantinimit kombëtar për shkak të virusit COVID-19. Institucioni përgjegjës për futbollin shqiptar, gjykon se kujdesi për fëmijët, si nga ana fizike ashtu edhe social-psikologjike, është shumë i rëndësishëm në këto ditë të vështira për gjithë shoqërinë tonë, dhe më gjerë. Krahas detyrave tona familjare, një vëmendje e veçantë u duket kushtuar fëmijëve tanë, dhe futbolli është rruga më e mirë, si sporti më i dashur në Shqipëri.

FSHF lançoi në kanalet sociale këtë fushatë, që u kërkon vajzave dhe djemve të rrinë në shtëpi, dhe të luajnë futboll sipas kushteve tona familjare. Prindërit dhe fëmijët kanë treguar një interes shumë të madh në 24 orët e para të fushatës, duke dërguar videot e tyre, që tashmë po publikohen në kanalet sociale të Federatës së Futbollit.

FSHF ka ngritur një juri, e cila do të vlerësojë të gjitha videot dhe do të përcakojë më të mirat prej tyre. Këto janë çmimet për 20 videot më të mira:

Vendi i parë: uniformë komplete e kombëtares me emër dhe numër
Vendi i dytë: fanelë e kombëtares me emër dhe numër
Vendi i tretë: top dhe USB
Vendet 4-5: top
Vendet 6-10: USB
Vendet 11-15: kapele e kombëtares
Vendet 16-20: çantë shpine

Videot e fëmijëve (duke specifikuar emrin e fëmijës dhe vendndodhjen) mund të dërgohen përmes WeTransfer.com në e-mailin: pr@fshf.al