Futboll i fëlliqur, dhe në fund fajin e ka… UEFA!

Deri para disa javësh, me të mirat e të këqijat e veta, Kategoria Superiore po mbahej. Futboll i fortë, asnjë tolerim, vetëm me njollat e zakonshme të gjykimit, si dhe ndonjë episod normal dhune si katrahura e Përmetit.

E megjithatë, në fund e dhjemë. Si zakonisht. Qenkemi popull i poshtër, përderisa në çdo drejtim mundohemi të zgjedhim rrugën më të pistë. Teuta mbijetoi falë poshtërsive, Vllaznia u lut që t’i jepnin lëmoshë dhe pastaj shau Partizanin pse i hapi shalët Kamzës. Çudira shqiptare, ashtu si festa e Skënderbeut, me 5 gola të pësuar brenda në Korçë, në mënyrë qesharake, pa dinjitet, pa burrëri, pa sedër. Edhe ekipi U-19 i Skënderbeut nuk mundej ashtu. Sa për krahasim, me Vucaj me shokë në fushë Vllaznia nuk mundi dot Orikumin, ekip i Kategorisë së tretë, e kuptoni?

Dikush do thotë: “Hajt se të kalon, kështu bëjmë gjithnjë ne dhe pas pak ditësh harrohet gjithçka”. Ndoshta, ose ndoshta jo. Ndoshta Guerrilsat nuk do harrojnë, ndoshta shumë tifozë të tjerë nuk do harrojnë. Ndoshta UEFA do i dërgojë disa dosje shtesë për ESTRADAT e djeshme dhe për kuotat e basteve që shihnin Vllazninë dhe Kamzën të transformuara në Liverpulin dhe Real Madridin. Ndoshta, po të ishim në një shtet normal, kjo java e fundit duhej fshirë fare.

Po të ishim burra, ndoshta do dilte dikush e të thoshte “Stop, ky nuk është sport”. Ajo që pamë dje, por edhe gjithë javët e fundit, ishte kurvëri, shkurt e troç. Ata që e kanë kuptuar, nuk do të shkojnë më në stadium. Ata që nuk duan ta kuptojnë, do të vijojnë të zgërdhihen me ndonjë birrë e qofte përpara, sepse jeta vazhdon, Shqipëria është mësuar të jetojë në baltë. Por fajin na e ka UEFA!

Blerim Jahaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *