Futboll i çmendur: Nejmar fiton miliona për arritjet personale, jo të ekipit

Shpesh thuhet se ka futbollistë që e kanë mendje  vetëm te suksesi personal dhe nuk impenjimin në maksimum për të ndihmuar ekipin të arrijë suksese. Çështje egoje, karakteri, por jo vetëm kaq.

Siti brazilian UOL Esporte ka zbuluar bonuset kryesore të Nejmarit në kontratën e sponsorizimit me kompaninë e njohur të veshjeve sportive Nike, firmosur në vitin 2011 dhe me skadencë vitin 2020.

Braziliani do të fitojë 1 milion dollarë nëse fiton Topin e Artë, 2 milionë për Topin e Artë numër 2 e kështu me radhë, në progresion rritës, me 4 milionë dollarë nga Topi i Artë numër 4 e tutje. Utopi? Jo dhe aq, sepse Mesi e Ronaldo nuk do luajnë përjetë dhe Nejmari është disa vite më i ri se ata.

Ajo që bie në sy është se ylli brazilian do të përfitojë shifra të çmendura për sukseset personale, por jo për ato të ekipit. Nejmari merr me shumë se 3 milionë euro në muaj të PSG, ndaj nuk është se ka nevojë për milionat e Nike, por si thuhet në këto raste për milionat, sa më shumë të kesh, aq më shumë do.

Bonusi më absurd është ai për Kupën e Botës: nëse Nejmari shpallet kampion bote, merr si çmim 50 mijë dollarë, por ndërkohë fiton 200 mijë dollarë nëse shpallet shënuesi më i mirë apo lojtari më i mirë i turneut. I njëjti diskutim për Lojërat Olimpike, 20 mijë për medaljen e artë, por 100 mijë dollarë nëse bëhej shënuesi më i mirë dhe 150 mijë nëse shpallej lojtari i turneut.

Edhe më skandaloz është bonusi prej 1 milion dollarësh për të luajtur me shumë se 70% të ndeshjeve me Brazilin në vit. Me pak fjalë, Nejmari pasurohet edhe thjesht duke u bashkuar me kombëtaren e duke luajtur pak minuta, pak rëndësi ka nëse jep 100% apo jo.  Futbolli modern…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *