Futboll i bukur…futboll! Jurgen Klopi as që e imagjinonte, Arsenali iu përgjigj në “heavy metal”

Një ndeshje spektakolare si ajo mes Liverpulit dhe Arsenalit, është vitrina më e bukur për të tërhequr gjithëkënd të ngelur dhe që nuk e ndjek futbollin, për të parë sportin më të bukur në botë. Jo pak, por 10 gola janë shënuar në një përballje spektakolare të mbyllur 5-5, me aksione të panumërta dhe realizime të një tjetër niveli.

Në fund do të ishte sërish Jurgen Klopi që do të fitonte, pikërisht ashtu siç nuk e imagjinonte kurrë, me Arsenalin që iu përgjigj në stilin e rëndë të “heavy metal”. Historia sesi përsëritet është vërtet e bukur, pasi vite më parë trajneri gjerman do të shprehej: “Vengeri? Është dikushi. Po ai pëlqen të ketë topin, të luajë futboll të pasojë…duket si orkestër. Por me këngë të lehtë.

Mua më pëlqen “heavy metal” më shumë. Dua të dëgjoj gjithmonë zhurmën. Më pëlqen filozofia e Arsenalit, por nuk e drejtoj dot atë ekip, sepse unë jam një djal tjetër. Nëse më sheh mua gjatë ndeshjes, unë festoj edhe kur shkojmë me topin në sulm.

Duhet të luftosh në futboll, jo të jesh i qetë, këtë dua unë. Ditë me shi, fushë e keqe, të gjithë të jemi bërë pis nga fytyra dhe kur të shkojmë në shtëpi, të mos bëhemi për të luajtur më futboll për 4 javët e ardhshme. Kjo është Borusia ime. Kur e kam ndjekur Arsenalin në 10 vitet e fundit, është gati futbolli perfekt, por të gjithë e dimë se ata nuk kanë për ta fituar kurrë një titull”.

Pikërisht në këtë mënyrë për pak sa nuk ka humbur edhe Jurgen Klop, nga skuadra që sipas tij nuk mund ta luante dot “heavy metal”. Por të paktën për 90 minutat e Kupës “EFL” gjatë mbrëmjes së sotme, Arsenali ia doli, megjithëse i shpëtoi nga duart në minutën e fundit të shtesës.

Rezultati shkoi nga 1-0 në favor të Liverpulit në 1-3. Një ngushtim i diferencave nga të kuqtë që solli edhe golin e katërt të topçinjve. Vendasit iu përgjigjën sërish për të barazuar rezultatin në 4-4, derisa erdhi goli i pestë nga Willock. Në minutën e fundit të shtesës do të ishte sërish Origi që do të realizonte, për ta mbyllur kohën e rregullt në 5-5 dhe nga pika e bardhë e penalltisë do të kualifikohej Liverpuli. Në këtë sport duhet të futet edhe një tjetër shprehje: “Futbolli është një lojë që zgjat 90 minuta, pa harruar edhe shtesën. Nëse luhet në “heavy metal”, gjithmonë në fund e fiton Jurgen Klop”. /Sport Ekspres/