Futboll, helm dhe… forca speciale

0

E tmerrshme, futbolli shqiptar i ngjan një xhungle pa zot, ku më i madhi “gllabëron” më të voglin dhe askush nuk habitet, nuk reagon, nuk thotë “ç’bëni more, të vritemi për një ndeshje futbolli në vitin 2017!”. Që të ankohet PSG pranohet, që lojtarët e Milanit t’i turren arbitrit pas penalltisë pro Juves në minutën e 25-të edhe justifikohet, por që të kthehet në arenë gladiatorësh një ndeshje e Kategorisë së Parë në Shqipëri, kjo është të qeshësh me të madhe e pastaj të vësh ulërimën.
Ende në mars, në fillimin e fazës play-off (çfarë fjale e madhe!), në Shijak e në Burrel u bë nami, për… 3 pikë. Në Shijak rrethim me forca speciale, sharje, ofendime, sende në fushë, akuza, dorëheqje, agresion ndaj arbitrave për çdo fishkëllimë të dyfishtë, e gjitha me “helmin” e hedhur që një ditë më parë, sepse nga Kamza vinin deklaratat prej orakulli se Erzeni e kishte shitur ndeshjen. Imagjinoni sikur në Itali të dalë Galiani e të thotë që Atalanta ia ka shitur Interit ndeshjen e së dielës!
O, këtu në Shqipërinë tonë të lodhur nuk e vret mendjen askush, nuk të dënon askush, çfarëdo që të thuash, pavarësisht se pozicioni si drejtues klubi nuk ta lejon të hedhësh akuza të tilla.
Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë ishin të pranishme edhe në Burrel, ku luante pikërisht Kamza. Akuza, gurë dhe në fund thirrjet “e shitët, e shitët, e shitët”. Është dashur ndërhyrja e FNSH-të që gjyqtarët e takimit dhe kamzalinjtë të dilnin nga fusha pa pësuar lëndime. Në tribunë skena skandaloze me përleshje mes punonjësish bashkie, nga ata që nuk u bën syri “tërr” kur shohin ndonjë gropë 2 metra të thellë, por futbollin, atë jo, mos ua ngacmoni.
Trajnerët e Burrelit dhanë dorëheqjen pas ndeshjes dhe flitet se në pushimin e takimit zyrtarë të Bashkisë Mat kanë hyrë në dhomat e zhveshjes dhe kanë kërcënuar e fyer keq lojtarët dhe trajnerët e Burrelit! Po fitonin 1-0, të shkretët, nuk u falej!
Një thirrje për FSHF-në: NDALENI FUTBOLLIN E KATEGORIVE TË ULËTA! Më mirë disa ndeshje play-off në Tiranë e Durrës, ta fitojë kush të jetë më i zoti, pa pistoleta, deputetë, kryebashkiakë e të fortë lagjesh që e duan Superioren me çdo kusht, edhe pse nuk ia dinë mirë emrin dhe nuk e marrin vesh fare pse duhet të luajnë aty lart, me të mëdhenjtë…

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here