Funerali i Astorit, sporti italian bashkohet në Firence

Është dita e lamtumirës për Davide Astorin, futbollistin fatkeq që u nda nga jeta në mënyrë absurde, për një atak kardiak, në natën mes të shtunës e të dielës së shkuar, para ndeshjes së Fiorentinës së tij në Udine.

Një duartrokitje e gjatë dhe lot: arkivoli i Davide Astorit ka parakaluar para stadiumit “Artemio Franchi” në Firence, me mijëra njerëz që kanë qenë të pranishëm për të përshëndetur kapitenin vjollcë. Më pas kortezhi mbërriti në sheshin Santa Croce, për të zhvilluar ceremoninë funerale, ndërsa turma në shesh shoqëroi gjithçka me duartrokitje dhe më pas me një heshtje mallëngjyese.

Në ceremoni ishin të pranishëm personalitete të njohur të sportit italian: Toti, El Sharaui, Florenci, Xhuzepe Rosi, Paskual, Toldo, presidenti i Kaliarit Xhuulini, De Maio, Borha Valero, Zaneti, Spaleti, Ranokia, D’Ambrozio,  presidenti i Atalantës Perkasi me Iliçiç, Barezi e Filipo Gali, ministri Loti, Kostakurta, Ventura, Di Biaxhio e Xhovani Malagò, Diego e Andrea Dela Vale, Mateo Renci, Pirlo, Tomazi, Evani, Maxhio, zëvendëspresidenti i Napolit Edoardo De Laurentiis, Perin, Bertolaçi, Perineti, Butragenjo, Van Basten e shumë të tjerë.

Rreth orës 10 mbërriti edhe delegacioni i Juventusit, që ka shkuar në Firence sapo është kthyer nga Londra. Të pranishëm edhe Alegri, Bufon, Rugani, Pjaniç, Kielini, Bernardeski, Barzali e De Shilio.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *