Fund i ciklit, Bajerni programon revolucionin

0

Ndryshimi i ciklit në Mynih është çështje muajsh. Në zyrat e stadiumit “Allianz Arena” po punojnë duke menduar për një revolucion, i cili është i pashmangshëm. Të shumtë janë futbollistët, të cilët janë të prirur për një largim prej mosrinovimit të kontratës së Pep Guardiolës. Por, ka edhe nga ata, si Tomas Myler për shembull, të cilët do ta përforcojnë rolin e tyre si protagonistë pas 30 qershorit, dita kur Pep i thotë “lamtumirë” Bajernit.

Levandovski – Shqetësimi më i madh në sekretarinë teknike të Bajernit ka vetëm një emër: Robert Levandovski. Sulmuesi polak është gjithë e më pranë largimit nga Bundesliga. Ai do të braktisë kampionatin ku u “lind” dhe u zhvillua në një nga pykat më të mirë në botë. Pasi ka kaluar në duart e dy mjeshtrave, Jurgen Klop dhe Pep Guardiola, 27-vjeçari ka një synim tjetër: të luajë për skuadrën e tij të ëndrrave (sipas medieve), Real Madrid. Levandovski ka gjithashtu oferta shumë të mira nga kampionati anglez. Ai e ka të qartë planin. Do të presë derisa Real Madridit t’i lejohet për të transferuar lojtarë dhe bazuar te lajmet e fundit, FIFA e ka shtyrë përkohësisht dënimin me “ngrirje” të merkatos për madrilenët, çka do të thotë se polaku në verë mund të largohet. Nëse “ngrirja” nuk shtyhet, ai thuhet se do të presë deri në verën e vitit 2017, kur Realit i përfundon dënimi i merkatos, për të braktisur Mynihun.

Roben – Polaku nuk është i vetmi lojtar, i cili pritet të ndryshojë ajër. Duket se ofensiva e Bajernit do të pësojë një ndryshim në themel, sepse ka edhe disa copëza të “puzzle”-t aktual, të cilat pritet të mos jenë vitin tjetër në Mynih. Një nga këto është Arjen Roben. Anësori holandez kaloi një vit të tmerrshëm vjet me dëmtime dhe fakti që Holanda e tij nuk u kualifikua në Evropianin e Francës ia “blindoi” mendjen me mendime negative. Tani ai po punon për t’u rikthyer 100% nga dëmtimi i fundit, por para se të nisë Evropiani ai mbase do të përcaktojë destinacionin e ardhshëm. Këtë destinacion ai do ta përdorë për të përgatitur eventin e fundit në karrierë, Botërorin e Rusisë në 2018-n. Ish-ylli i Real Madridit ka ende oferta nga Premier Liga dhe mbase do të rikthehet në kampionatin ku filloi rënien e tij para se Luis van Gal ta “ringjallte” te Bajerni, pra  te Çelsi.

Riberi – Largimi i Arjen Robenit me shumë mundësi do të shoqërohet edhe me largimin e kolegut të tij nga ana tjetër e ofensivës, Frenk Riberi. Francezi ka kaluar një ferr në muajt e fundit prej dëmtimeve. Problemi me kyçin e këmbës u bë kronik dhe u detyrua të punonte për rikuperim plot 9 muaj. Trajneri Guardiola thuhet se nuk ka besim tek ai dhe rrjedhimisht as te rikthimi i tij në fushë. Riberi ka fituar frymë me kampin stërvitor të Katarit, por mediet supozojnë se ai në verë do të mbyllë ciklin e tij te Bajerni, duke u transferuar te një kampionat më i dobët se Bundesliga. Kjo do ta lejonte atë të mos ketë një mbingarkesë fizike. Në fund të fundit, tani është 32 vjeç.

Benatia – Edhe marokeni Medhi Benatia pritet të largohet në verë. Ai është qendërmbrojtësi më i shtrenjtë i blerë ndonjëherë nga Bajerni (30 mln euro), por kurrë nuk ia doli të “shkrihej” me skuadrën bavareze dhe të formojë një dyshe ëndrrash me Zherom Boatengun. Ai ka oferta nga Serie A nga klube si Roma, Juventusi dhe Udineze.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here