FSHF sjell ekspertët për Superioren, leksione nga vendi që habiti edhe De Ligt

Një histori suksesi nuk mund të jetë kurrë e rastësishme, por në të ka vend për shumë investime. Ashtu si edhe në rastin e Juventusit në Itali, që prej vitesh po arrin të fitojë Skudeton dhe nuk ka konkurrencë.

Jo vetëm lojtarë cilësorë dhe që bëjnë diferencën, por bardhezinjtë janë në një tjetër kategori edhe sa i përket stafit që përkujdeset për lojtarët. Madje pikërisht për këtë arsye do të fliste edhe De Ligt, që i bëri menjëherë përshtypje sa i përket kontrollove mjekësore kur erdhi nga Ajaksi. “Vetëm çështja mjekësore zgjat 1 ore e gjysmë. Ata madje kontrolluan edhe dhëmbët e mi. Ajo që ishte më interesante për mua, është se mund të shihnin edhe potencialin tim fizik. Jam befasuar nga përfundimi i tyre. Kjo pasi stafi e di se ku jam nga 100% im dhe sesi mund të arrij maksimumin”, ka thënë De Ligt.

Ndërkohë FSHF ka njoftuar së fundmi se një ekspert i Juventus Medical dhe mjeku i Kombëtares, Gianluca Stesina, i ka dhënë pak mësim edhe mjekëve dhe fizioterapistëve nga Superiorja dhe Kategoria e Parë. /Sport Ekspres/

Njoftimi i plotë

Mjekësia në futbollin shqiptar është një nga hallkat më të rëndësishme të procesit të licensimit të klubeve, dhe Federata Shqiptare e Futbollit në kuadër të këtij procesi që këtë vit ka filluar më shpejt, ka filluar trajnimet me klubet për ti ofruar ndihmë konkrete, të vazhdueshme dhe të qendrueshme.

Një ndër trajnimet që u organizua nga FSHF pak ditë më parë, ishte ai me mjekët dhe fizioterapistët e klubeve të Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë, si edhe përfaqësues të akademive kryesore në vend. Në këtë trajnim referoi Doktor Gianluca Stesina, mjeku i ekipit kombëtar shqiptar, ish mjek i Juventusit dhe aktualisht pjesë e Juventus Medical. Doktor Stesina i paraqiti të pranishmëve element praktikë të lidhur me dëmtimet muskulore dhe mënyrat më të mira që duhen ndjekur për rehabilitimin e sportistëve pas traumave.

Ky trajnim i lidhur me mjekësinë sportive është fillimi i një projekti të mirëfilltë që Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur për Mjekësinë Sportive dhe arritjen e shpejtë të standartave më të larta në këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit. FSHF është duke punuar me të gjithë faktorët që janë të rëndësishëm në këtë proces, duke përfshirë të gjithë mjekët e klubeve, universitetet, organizmat spitalor shtetëror dhe privat si dhe federatat e tjera sportive në vend. Federata dhe Presidenti Duka e kanë vendosur tanimë zhvillimin e mjekësisë sportive te prioritetet kryesore dhe më të rëndësishme, për të arritur një zhvillim të qendrueshëm dhe të sigurtë për futbollin në vendin tonë.

Angazhimin e sa më shumë mjekëve të rinj në sport, ofrimi i trajnimeve të mirëfillta me ekspertë vendas dhe të huaj, mbështetja me bazë materiale të nevojshme, do të jenë disa nga elementët e strategjisë dhe projekteve që po implementohen nga FSHF në lidhje me Mjekësinë Sportive.