FSHF shtang klubet, nuk ka shtim të numrit të të huajve në fushë

Si zakonisht, klubet shqiptare flasin nëpër gazeta e televizione, por nuk ndjekin ndonjë procedurë zyrtare, kur bëhet fjalë për komunikimin me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Prej kohësh disa klube kanë ngritur zërin në lidhje me futbollistët e huaj, pasi lejohen vetëm 4 të tillë në formacion gjatë ndeshjes. Duke nxjerrë si justifikim mungesën e lojtarëve cilësorë në Shqipëri dhe pagat e larta që kërkojnë ata pak futbollistë të njohur që qarkullojnë, është kërkuar që numri i të huajve në fushë të shkonte të paktën në 5 të tillë.

Megjithatë, sot Komiteti Ekzekutiv lënë në fuqi numrin 4 të të huajve, një lajm që me siguri do të nervozojë disa klube, që kanë në organikë shumë të huaj, si për shembull Flamurtari, që ka që tani në organikë 5 lojtarë të huaj dhe tani e tutje detyrohet të kërkojë futbollistë shqiptarë.

Ndërkaq, ndryshon rregulli i pezullimit me kartonë të verdhë. Tashmë lojtarët do të pezullohen pas akumulimit të 4 kartonëve të verdhë dhe jo 3, siç ka qenë deri tani. Një ndryshim që duhej bërë kohë më parë, por që është neglizhuar, sërish edhe për faktin se klubet nuk janë kujtuar që të shohin Europën, ku kampionatet me kohëzgjatjen e Superiores kanë vendosur numrin 4 apo 5 të kartonëve për pezullim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *