FSHF prezanton Akademinë e Arbitrimit, Duka: Gati spastrimi i arbitrave të pandershëm

0

Ishte premtuar para pak muajsh dhe tashmë Akademia e Arbitrimit është realitet. Në Elbasan nisma është prezantuar sot, me praninë e presidentit të FSHF-së Armand Duka, përballë një auditori të gjërë studentësh dhe studentesh.

Duka ka shpjeguar ndërmarrjen e kësaj iniciative, që do të shërbejë për të prodhuar arbitra të rinj, të cilët do të rriten me shkollimin e duhur, me trajnimet dhe kualifikimet e nevojshme dhe me mbështetjen e vazhdueshme të federatës.

“Gjithsecili prej jush të dijë se ku të trokasë, të njihet me tërë praktikën, të njohë rrugën e qartë dhe pikat e kontaktit me Federatën dhe të gjithë kapacitetet që federata do të vërë në dispozicion për ju për Akademinë e Arbitrimit. Nisëm këtë tur promovues pikërisht me Universitetet, thjesht dhe vetëm t’ju bëjmë publike atë që kemi menduar tashmë të bëjmë. Të përcjellim atë që për pak muaj do të jetë një Akademi më vete arbitrimi me kushtet, mbështetjen, vënien në dispozicion të të gjithë resurseve tona, trajnimin dhe më pas testimin e më tej”, tha ndër të tjera Duka.

Duke përfituar nga ky takim, Duka ka folur edhe për problemet e gjykimit aktualisht në futbollin shqiptar, duke e pranuar se disa arbitra nuk po tregohen të ndershëm dhe shumë shpejt do të nisë “fshesa”: “Komiteti i Arbitrimit ka analizuar dhe përcaktuar arbitrat që kërkojnë të ndikojnë në garë dhe këta arbitra nuk do jenë më pjesë e arbitrimit. Janë në proces me emra, por kjo është në autoritetin e  Komitetit të Arbitrimit. Në asnjë moment nuk mund të mendohet se nëse je arbitër i FIFA-s ke imunitet dhe mund të gabosh me dashje. Të gjithë duhet të jenë korrekt në garë, pasi të gjithë mund të marrin të njëjtin penalizim”.

“Do t’i garantoj pjesëmarrësit në garë se duam një garë sa më korrekte. Të gjithë ne duhet t’i ndihmojmë gjyqtarët. Duhet të pranojmë edhe shpejtësinë me të cilën merr vendimin gjyqtari. Nuk duhet të tolerojmë, duhet të ndahet gabimi me dashje nga gabimi pa dashje”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here