FSHF pranon kërkesën e Partizanit, dy çështje mbajnë ende pezull gjithçka

Derbi i kryeqytetit në “Air Albania” ka marrë edhe miratimin nga ana e FSHF-së, që i përgjigjet pozitivisht kërkesës zyrtare të klubit të Partizanit lidhur me këtë çështje. Problemet e ndodhura nga tifozeritë në përballjen e fundit mes të kuqve të Partizanit dhe bardhebluve të Tiranës, duket se nuk e kanë shqetësuar aspak Federatën Shqiptare. Kjo pasi tifozët do të jenë nën vëzhgim duke qenë se stadium është i pajisur me kamera. Gjithashtu për çdo ndeshje që do të zhvillohet në “Air Albania” do të hidhen në treg bileta të personalizuara, ku do të shënohen kredencialet e personit që dëshiron ti blejë.

Por për të arritur deri në konfirmimin përfundimtar duhet të presim deri ditën e hënë, pasi janë ende disa gjëra që e mbajnë peng lejimin e kësaj ndeshje në stadiumin më të ri të vendit. Njëra pikë ka të bëjë me barin e fushës, që duhet të marrë dritën jeshile nga analizat laboratorike, të cilat do të bëjnë të ditur nëse do të jetë e mundur që derbi të luhet në këtë impiant në datën 5 dhjetor apo jo. Ndërsa pika tjetër ka të bëjë me vendosjen e çmimit që duhte të paguajë organizatori për të zhvilluar një ndeshje në “Air Albania” dhe vlera nuk do të jetë e njëjtë për çdo përballje, teksa janë shumë detaje që ndikojnë në këtë pjesë./Sport Ekspres/