FSHF, mesazh ngushëllimi për familjen Vokrri dhe Kosovën

Lajmi për ndarjen nga jeta të Fadil Vokrrit ka tronditur të gjithë në futbollin mbarëshqiptar dhe nuk ka vonuar edhe reagimi i Federatës Shqiptare të Futbollit. Vokrrit ishte një mik i madh i Shqipërisë dhe në dekadën e fundit ka bashkëpunuar ngushtë me FSHF-në, që i ka dërguar ngushëllime Federatës së Kosovës dhe familjes së presidentit.

MESAZHI

Federata Shqiptare e Futbollit ndihet thellësisht e tronditur dhe e shokuar nga ndarja e parakohëshme nga jeta e mikut, dhe kolegut të saj, kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës, z.Fadil Vokrri.

Në emër të Presidentit të FSHF-së, z.Armand Duka, sekretarit të përgjithshëm z.Ilir Shulku, si edhe të gjithë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, komuniteti i Futbollit në Shqipëri përcjell ngushëllimet më të thella e më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë, spordashësit dhe mbarë qytetarët e Kosovës për këtë ndarje tragjike e të parakohëshme nga jeta të zotit Vokrri, që vuri gjithcka në dispozicion të rritjes dhe zhvillimit të Futbollit në Kosovë.

Kontributi i Presidentit Vokrri do të mbahet mend shumë gjatë për angazhimin e tij maksimal dhe gjithpërfshirës në drejtim të ngritjes dhe përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës dhe Futbollit të saj, në Europë dhe në Botë.

FSHF është e bindur që fizionomia dhe idetë e tij për progresin e Futbollit të Kosovës, në rang kombëtar dhe ndërkombëtar do të ndiqen dhe elaborohen ndër vite nga brezat dhe kolegët e FFK-së.

Ndarja e tij e parakohëshme nga jeta mbetet një humbje shumë e madhe për futbollin kosovar, por edhe për të gjitha trevat shqipfolëse anembanë botës.

Lamtumirë miku ynë Fadil!
Shpirti yt u prehtë në paqe!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *