FSHF i përgjigjet Partizanit: Dështimet mos na i faturoni ne!

Ashtu si në Itali, edhe në Shqipëri ka polemika pa fund, akuza ndaj sistemit, arbitra në shënjestër dhe klube që ankohen rregullisht.

Partizani ka dalë me një deklaratë të fortë duke akuzuar gjyqtarët e ndeshjes në Lushnjë dhe duke përfshirë edhe FSHF-në, që sipas klubit të kuq dirigjon gjithçka për të dëmtuar Partizanin.

Sot ka ardhur reagimi po aq i ashpër i Federatës Shqiptare të Futbollit, që me një deklaratë për mediat i drejtohet Partizanit duke i kërkuar të ulë tonet, por ndërkohë e këshillon t’i gjejë brenda vetes arsyet e dështimit sezonal.

DEKLARATA

“Duke marrë shkas edhe nga qëndrimi i fundit zyrtar i klubit të futbollit Partizani për ndeshjen e fundjavës në Lushnje, FSHF shpreh keqardhjen e saj për gjuhën vulgare të përdorur, dhe krejtësisht jo fair.  Dështimet e sezonit të një skuadre, apo një tjetre nuk mund ti faturohen kurrsesi FSHF-së. Duke qenë se aludohet, dhe shpesh prodhohet alibia që FSHF dirigjon pengimin e Partizanit në arritjen e objektivave të tij, atëherë në suksesin e pesë ndeshjeve radhazi të klubit Partizani para pak javësh, FSHF paska qenë faktor? Këto janë thjesht paragjykime emotive në këtë pjesë të fundit të sezonit.

Përveç arbitrit në fushë, ndeshjen e gjykon edhe publiku si një futbolldashës, dhe jo në pozitat e një tifozi të sëmurë. Ndaj ne e ftojmë atë (publikun) të shohë takimin e Lushnjes ndaj Partizanit për gjithçka dha ajo ndeshje në fushë, nga ana e të dyja skuadrave, përpara se të gjendet një armik për mosarritjen e objektivit. Çdo rezultat është pjesë e lojës, dhe produkt i përgatitjes dhe performancës, si edhe pashmangshmërisht, edhe fatit për secilën skuadër. Ky është një moment që kërkon më shumë gjakftohtësi dhe përqendrim në realizimin e objektivave finalë të të gjithë aktorëve të garës. Kjo shërben shumë më tepër, sesa një recetë gjaknxehtësie”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *