FSHF i përgjigjet Braçes: Je i vetmi që sillesh si tifoz në parlament dhe si ligjvënës në stadium

0

Si çdo të enjte ishte programuar mbledhja e radhës parlamentare, por në fokus sot ka qenë dhe futbolli në vendin tonë. Erjon Braçe, i cili është një frekuentues i stadiumeve shqiptare është ndalur jo pak tek informaliteti, teksa nuk ka nguruar që të akuzojë dhe FSHF-në.

Sigurisht që nuk ka qëndruar në heshtje federata ,e cila ka reaguar përmes një postimi pak minuta më parë. FSHF thekson se këto tentativa për të hedhur balë mbi ta por dhe UEFA-n do të pasqyrohen dhe në drejtim të organeve ndërkombëtare, pasi bëhet fjalë për komente nga një zyrtar politik.

“FSHF si gjithmonë, ndjek me vëmendje të posaçme, çdo zhvillim parlamentar dhe jashtë tij, që ka të bëjë me mirëfunksionimin dhe imazhin e saj. FSHF, ashtu sikurse edhe UEFA dhe FIFA është veçanërisht sensitive, sidomos kur shikon tendenca nga ligjvënës, edhe pse të veçuar, që synojnë në thelb të cenojnë standardet ndërkombëtare të vendosura me kohë në këtë organizatë, dhe pavarësinë e saj nga politika.

Sot, fatkeqësisht, si edhe disa herë të tjera, në mënyrë të përsëritur nga i njëjti deputet, por fatmirësisht për reputacionin e parlamentit shqiptar, i vetmi që në parlament sillet si tifoz i një ekipi, dhe në shkallët e stadiumit si ligjvënës, pamë jo vetëm gjuhë ofenduese por edhe kërcënuese, që në subkoshiencë fshehin ëndrrën e vjetër të një segmenti të caktuar të politikës për të pushtuar me dhunë FSHF-në.

FSHF jo vetëm garanton transparencën e saj përballë organizmave ndaj të cilave është e detyruar në bazë të rregullave t’i përgjigjet, por inkurajon gjithashtu punën e çdo institucioni shtetëror, apo qoftë dhe individi me pushtet, që në themel ka mirëfunksionim e kësaj organizate dhe jo ngritjen e ndonjë flamuri politik në ballkonet e saj.

Duke ritheksuar besimin tonë tek institucionet e shtetit, nënvizojmë edhe njëherë se mesazhet e dala nga zëra të veçuar të politikës që baltosin jo vetëm imazhin e FSHF-së por edhe të UEFA-s do të përcillen dhe ndahen me të gjithë partnerët tanë në FIFA dhe UEFA”.

REAGIMI I BRAÇES –“Unë nuk pyeta se sa paguhen lojërat apo ekipet, pyeta prej muajit shkurt në mënyrën më të qartë, sa është tatimi mbi të ardhurat personave që paguhet nga FSHF dhe së dyti sa është 10%  që i takon buxhetit nga e drejta televizive që federata ka fituar 10 vitet e fundit.

Që në muajin shkurt, i kam kërkuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë informacion për tatimet që paguhen nga FSHF për çdo të punësuar në 5 vitet e fundit, pas konsumimit të përgjigjeve, përgjigjeve nuk kam marrë ende, kërkesa ime është germë për germë ligjore. Ca ka ndodhur që nuk jepet përgjigje? Ligji e thotë qartë, për tatimet mbi të ardhurat personave dhe shpërblimet. FSHF ka paguar 91 milionë për personelin, 230 milionë lekë për paga jashtë federatës.  Sa tatim është paguar për pagat jashtë federatës, se vlera është shumë më e madhe se pagat për personelin, apo për heronjtë nuk ka tatim, për këtë pyes unë, pse.

Nuk e toleroj dot talljen që është konsumuar kur unë ju kam drejtuar këtë letër. Për 10 vjet ku ka vajtur 10% i të drejtës televizive E kuptoj unë qe buxheti nuk ka nevoje për 300 mije dollarët e FSHF, po ligjshmëria fiskale është detyruese. Nuk mundet të ketë imunitet FSHF nga detyrimet tatimore. Pse duhet të pranojmë alibinë e një njeriu që nuk heq dorë nga një karrige atje. Pse i jepni imunitet atij institucioni, kur bëni detyrën dhe trokisni në çdo dyqan, kafenenë dhe qebaptore të këtij vendi. Nuk ta solla Ronaldon ta krahasoje me Kristi Vangjelin, por për barazinë për detyrimet”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.