FSHF fillon seleksionimin e talenteve

0

Shqipëria e futbollit nuk mendon vetëm për të tashmen por edhe për të ardhmen. Federata Shqiptare e futbollit, dhe më saktë sektori i ekipeve kombëtare ka nisur seleksionimet e futbollistëve për datëlindjet 1997-1999. Gjithcka ka nisur në ditën e parë të këtyre seleksionimeve në Qendrën stërvitore të ekipeve kombëtare në Kamëz. Komisioni i përbërë nga Bujar Kasmi, Gianni De Biasi, Paolo Tramezzani, Altin Lala, Xhemal Mustedanagic dhe Redi Jupi kanë ndjekur nga pranë futbollistët e zonës së Tiranës dhe Durrësit. Italiani i stolit kuqezi në prezantimin e tij si trajner 3 vite më parë theksoi se për të ngritur nivelin e kombëtares duhet një lëvizje e gjërë e futbollit në vend. Ky turne seleksionues është një pikë nisje dhe jo një pikë mbërritje e këtij projekti.

“Është herët për të thënë këtë. Mendoj se gjëja kryesore është të punojmë në bazë për të arritur në majë të piramidës me lojtarë të mirë. Kombëtarja e moshave të Shqipërisë është një dritare e mirë për futbollistët, pasi këtu talentet ekzistojnë. Ata kanë nevojë të kenë një skuadër të mirë ku të luajnë dhe sigurisht drejtimin e duhur në nivel të rinjsh. Pikërisht këtij aspekti duhet t’i kushtojmë shumë rëndësi”.

Kombëtarja e 17 vjecarëve nuk arriti të kalonte në Elite Round, megjithatë ka nisur një turne eliminator për të ndërtuar një skuadër që do të kërkojë kualifikimin në eliminatoret e muajit tetor. Trajneri i kësaj grupmoshe Xhemal Mustedanagic njihet në botën e futbollit si një scout i suksesshëm, dhe shfaqet plot besim se talentet në Shqipëri nuk mungojnë.

“Duhet të kualifikoheshim në Elite Round por nuk ia dolëm për arsye se grupi nuk ishte i plotë. Ndjejmë keqardhje sepse pak na ndau nga kualifikimi por po punojmë për të ardhmen. Këtë vit kemi filluar më herët seleksionimet. Jo më kot stafi është i gjërë me trajnerin e kombëtares De Biasi, me ndihmësin e tij dhe shumë emra të tjerë. Kemi punë të vështirë por besoj se me punë do të ndërtojmë një skuadër të mirë që do të dhurojë eliminatore të mira. Sita është e gjerë pasi jemi në seleksionimin e parë. Kemi nxjerrë gjithmonë lojtarë 17 vjecarë që kanë ecur në ekipet e moshave dhe kanë kaluar në ekipe të mira në Europë. Jepi shumë optomist për futbollin tonë”.

Puna për seleksionimin e të rinjve premtues vjen në një moment kur disa të rinj nëpër Europë refuzojnë ftesën e kombëtareve të moshave, duke vënë si kusht grumbullimin në ekipin e parë të drejtuar nga De Biasi. Italiani shpreh bindjen që vëmendja duhet drejtuar tek ata futbollsitë që e vlerësojnë fanellën kuqezi, pavarësisht grupmoshës që mund të jetë.

“E rëndësishme është të jesh pjesë e një skuadre kombëtare, qoftë kjo 19 apo 21 vjecare. Një futbollist duhet të jetë pjesë e kombëtares pavarësisht nëse do të jetë tek ekipi im, i Gegës apo Mustedanagic. Besoj që kjo është e rëndësishme, kush bën dallime nuk ka dëshirë për të luajtur me kombëtaren por të bjerë në sy me ekipin e parë shqiptar. Ne duhet të hedhim sytë tek ata futbollistë që luajnë me vazhdimësi, pasi të shkosh në ekipin e parë është shumë e vështirë aktualisht duke qënë se kemi një skuadër të mirë”.

Seleksionimi i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit do të vijojë deri më datë 29 janar, me turin që do të mbyllet në Kosovë. / Super Sport

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here