FSHF: Dënojmë trukimet, policia të hetojë për kërcënimet

Me një komunikatë zyrtare për mediat, Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpër ngjarjen e fundit që ka bërë bujë ditën e sotme, atë të kërcënimit të inspektorëve të UEFA-s. Gjithashtu, FSHF shton se do të luftojë me të gjitha forcat fenomenin e trukimit të ndeshjeve.

FSHF: MBËSHTESIM DHE INKURAJOJMË LUFTËN KUNDËR TRUKIMIT TË NDESHJEVE!

Federata Shqiptare e Futbollit distancohet plotësisht nga ngjarja më e fundit ku persona anonimë kanë cenuar integritetin moral dhe kanë shantazhuar inspektorët e UEFA-s në punën e tyre investigative.

FSHF inkurajon autoritetet policore për të zbardhur deri në fund origjinën e këtyre telefonatave intimiduese dhe të dënueshme. Si në çdo moment, edhe këtë radhë ajo është e gatshme të bashkëpunojë me UEFA-n dhe me autoritetet përkatëse për zbardhjen sa më shpejtë të ngjarjes e cila duhet të vërë përpara përgjegjësisë ligjore autorët.

FSHF shprehet e angazhuar maksimalisht në betejën kundër ndeshjeve të fiksuara. Federata e futbollit mbetet në solidaritet të plotë me UEFA-n në misionin e përbashkët kundër fenomenit të trukimit, duke ofruar çdo potencial të sajin bashkëpunues. Të tillë mekanizma kërcënues kanë vetëm një fund të sigurtë, atë të ndëshkimit nga forca e ligjit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *