Fryma e rrallë, tifozët shkodranë që debutojnë me Partizanin: Problemet zgjidhini jashtë, do pastrohet dhe stadiumi

“Power 12” është emri i tifo-grupit më të ri të ekipit të Vllaznisë, i cili pritet që të debutojë në shkallët e stadiumit në ndeshjen e radhës kundër Partizanit. Grupimi ka bërë një njoftim në faqen e tyre në “Facebook” për anëtarët e vetë, ku vihet re fryma e re që tifozët më të rinj shkodranë duan të sjellin.

“Power 12” bën thirrje për tifozët që të mos hedhin sende në fushë si dhe kërkojnë të sjellin edhe një risi në stadiumet shqiptare, duke kërkuar që të pastrojnë tribunën e tyre pas përfundimit të stadiumit. Një gjë të tillë jemi mësuar ta shohim shpesh nga tifozët në evenimente si Botërori apo Europiani, ndërsa në Shqipëri do të jetë hera e parë nëse kjo gjë realizohet. Grupimi kërkon që prania e tyre në stadium të jetë vetëm me qëllimin për të mbështetur ekipin e Vllaznisë dhe personat që kanë tjetër qëllim nuk janë të mirëpritur nga tifo-grupi “Power 12”./Sport Ekspres/

Njoftim
Në prag të ndeshjes Vllaznia vs Partizani, donim që tju vendosnim në dijeni se çfarë keni personalisht me njëri-tjetrin ose me dikë në stadium mund t’i zgjidhni jashtë, në tribunë asnjë debat. Frymë të keqe nuk dëshirojmë në grup. Kush niset me mendimin për të krijuar sherre e përçarje, mos të vijnë të rrinë me ne. Kush e ka me pasion është i mirëpritur. Kur këndon 1 të këndojnë të gjithë, kur kërcen 1 të kërcejnë të gjithë, kur 1 është në vështirësi t’a ndihmojnë të gjithë. Asnjëri të mos hedhë gjë në fushë dhe pas ndeshjes të pastrojmë tribunën tonë. Kush është dakord është i mirëpritur!