Frikë nga precedenti i Tiranës, Vllaznia me rregulla deri në detaje ndaj Partizanit: As shishet me tapa

Ditën e shtunë do të luhet përballja midis Vllaznisë dhe Partizanit në Shkodër, e vlefshme për javën e tetë të kampionatit. Ndeshja pritet të ketë interesim të lartë, duke marrë shkas edhe nga historia që dy klubet kanë pasur me njëri-tjetrin vitet e fundit. Tifozët do të kenë mundësi që të blejnë biletat e tyre duke nisur nga dita e nesërme, ndërsa vetë skuadra e Vllaznisë njeh mbështetësit që do të sigurojnë një vend në stadium me rregullat që duhet të respektojnë.

Duke marrë parasysh marrëdhënien jo të mirë të tifozerisë shkodrane me ekipin e Partizanit, si dhe ngjarjen që ndodhi në ndeshjen ndaj Tiranës në “Loro Boriçi” faqja zyrtare e Vllaznisë ka shpërndarë në rrjetet sociale rregulloren në mënyrë që çdo gjë të kalojë pa incidente. Kështu ekipi shkodran ndër të tjera bën thirrje që tifozët të mos jenë të pajisur me mjete piroteknike apo çadra, si dhe shishet e ujit duhet të jenë pa tapa./Sport Ekspres/