Frika nga gjykimi, Tirana dorëzon shkresën në FSHF

Tirana i druhet gjykimit të njëanshëm në ndeshjen me Kukësin dhe për këtë drejtuesit e bardhebluve kanë menduar të ndërmarrin një hap në lidhje me këtë çështje. SportEkspres.com mëson se sot në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit është dorëzuar edhe një kërkesë nga klubi kryeqytetas.

Konkretisht kërkohet që ndeshja e së dielës me Kukësit të gjykohet nga një arbitër i FIFA-s. Për bardheblutë është një takim i rëndësishëm dhe pikët janë të domosdoshme për shkak të situatës në kampionat.

Më shumë mundësi Sektori i Arbitrimit në FSHF do ta pranojë kërkesën e Tiranës. Ndoshta disenjatori Sokol Jareci e ka menduar edhe vetë më parë diçka të tillë, por tashmë ka edhe një shkresë nga ana e 24 herë kampionëve të vendit.

MUNDËSITË – Juxhin Xhaja, Enea Jorgji dhe Eldorian Hamiti janë arbitrat që mbajnë stemën e FIFA-s. Lezhjani është një emër i kontestuar së fundmi. Para ndeshjes Kukësi-Laçi, presidenti Pashk Laska i kurbinasve është ankuar te vëzhguesi Plarent Kotherja për arbitrin e vendosur për atë takim.

Edhe vetë trajneri Prenga, pas ndeshjes pranoi se lojtarët ishin disi të frikësuar kur kishin mësuar emrin e gjyqtarit që do drejtonte takimin. Gjithsesi kreu i pankinës pranoi se Hamiti përgjithësisht gjykoi mirë atë takim dhe nuk kishte ankesa. Tashmë mbetet të mësohet se kush do ta gjykojë përballjen Kukësi-Tirana, që zhvillohet ditën e diel prej orës 14:00 në Kamzë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *