Frashëri shikon vështirësi, Dita: Skënderbeu e ka vendin në krye!

Stivi Frashëri, portieri i Kukësit, analizon fazën përgatitore në Turqi dhe thekson se ndeshjet miqësore i ndihmojnë goxha. “Janë ndeshje që na ndihmojnë për ecurinë. Fituam ndeshjen e fundit”, shprehet portieri korçar për RTSH Sport.

Në lidhje me garën për titull, Frashëri ka shtuar: “Kemi rivalë të denjë si Partizani, Teuta dhe Skënderbeu që nuk mbetet prapa. Shpresoj të marrim maksimumin kundër këtyre rivalëve. Besoj se dy fazat e tjera do jenë më të vështira, ekipet hyjnë në presion. Do ishte qershia mbi tortë fitimi i titullit kampion”.

Në fund pak fjalë edhe për aspektin personal: “Që kur kam ardhur kam pasur momente të mira. Nga momenti që mora vendin e titullarit jam ndjerë mirë. Ekipi ka ecuri të mirë në mbrojtje dhe në portë”.

BRUNO DITA – Mesfushori i korçarëve gjithashtu ka folur për RTSH Sport: “Po shkon mirë, fatmirësisht nuk kam pasur ndonjë dëmtim. Na ndodhi ajo që nuk pritej, ajo me Bregun. Lulaj ka pasur kontraktim, por e përgjithshmja është e mirë”.

“E kemi forcën brenda grupit. Edhe në ndeshjet që kemi humbur, loja nuk ka munguar. Ka qenë çështje fati, na kanë shënuar me një rast. E kemi forcën brenda grupit, Skënderbeu nuk është ai i katër ndeshjeve të fundit”.

“Është e vështirë kur ikin lojtarë, si Sabieni apo Tefiku, t’i zëvendësosh. Jam munduar të jap më të mirën për ekipin. Me besimin e trajnerit them se jam shfaqur mirë. Pjesa e dytë e sezonit? Shpresoj të bëjmë më mirë. Normalisht Skënderbeu e ka vendin në krye dhe shpresoj ta kapim sa më shpejt”, përfundoi mesfushori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *