Franko Bushati, një shqiptar i suksesshëm në basketbollin italian

0

Nga Arben Imeri

E takojmë pas ndeshjes që ekipi ku luan, Brescia, fitoi me skuadrën e fortë dhe të dytën në renditjen e serisë A italiane, Avellinon. Si për të mos tradhëtuar nofkën, edhe kësaj here, roli i tij në mbrojtje ishte  shumë i rëndësishëm. Eshtë i qeshur dhe nuk ka atë mimikën agresive dhe vështrimin luftarak që e shoqërojnë kur në parket ka përballë kundërshtarët. Tiparet e tij nga ana estetike ngjasojnë  më shumë me fizionominë e ndonjë modeli apo një aktori filmash, se sa me ato të një sportisti.

Franko “Kobra” Bushati, i datëlindjes 1985, 191 cm i gjatë, lindur në Tiranë, ka luajtur prej vitesh me rradhë me kombëtaren shqiptare të basketbollit. Sot është shqiptari i vetëm që luan në kategorinë më të lartë të basketbollit italian, serinë A.

“Por ka edhe djem të tjerë shqiptarë që fare mirë do mund të luajnë në serinë A”, ndërhyn Franko. “Unë jam më i vjetri në moshë dhe më së fundi, pas shumë vitesh duke vrapuar në kampionatet e serisë B, arrita të realizoj ëndrrën time si dhe të babait tim”.

Po, sepse Franko është bir arti: babai i tij Pjerini ka qenë ndër basketbollistët më të mirë shqiptarë të viteve ’80, pjesëtar i Partizanit të famshëm të Zaçes, Mushit, Kuqos, Priftit, Çaçit, Lekës, Terihatit, etj, që ndeshej me sukses me skuadrat më të forta europiane, si dhe lojtar titullar i kombëtare shqiptare.

Domethënë, fati yt ishte i shkruar, Franko?

Nuk mund të ndodhte ndryshte. Sa herë që babi luante në pallat të sportit, edhe pse isha i vogël, nëna më merrte me vete,. E njëjta gjë ndodhte edhe në stërvitjet e tij. Isha katër apo  pesë vjeç kur fillova minibasketbollin dhe deri më sot, nuk i jam ndarë ende.

 Kaq herët?

Pata fatin që të bija në dorën e trainerit më të mirë shqiptar, atij që kishte stërvitur Partizanin e madh, Astrit Grevës. Më pas, në vitin 1997 erdhëm familjarisht të banonim në Itali. Falë basketbollit u ambientova shpejt me realitetin e ri dhe e pata më të lehtë për t’u integruar me shokët e këtushëm. U aktivizova me ekipet e moshave të qytezës ku banonim. Në moshën 14 vjeçare, duke qenë se disa specialistë e këshilluan babain që të mendonte seriozisht për mua, sepse sipas tyre mund të kisha një të ardhme në basketboll, trokitëm nëpër klube të ndryshme italiane. Bëra shumë provime në poa q skuadra, anembanë Italisë. Për fat, më pranuan në akademinë famoze të basketbollit të Yllit të Kaltër, në Romë. Ndenja pesë vite aty.

 Do ketë qenë e vështirë ndarja nga familja për ty, sepse e dimë që je shumë i lidhur me ata?

 Shumë të vështira, por edhe të vyera për mua. Janë vitet ku u formova jo vetëm si basketbollist por edhe si njeri. U mësova të përballoja i vetëm vështirësitë e jetës dhe mendoj se kjo gjë më poqi para kohe dhe më forcoi karakterin. Megjithatë, edhe sot që jam burrë, për nënën time jam akoma Franko i vogël dhe përqafimet e saj alla “shqiptarçe”, sa herë që mbaron ndeshja, nuk reshtin kurrë. Tani  prindërit janë kthyer të jetojnë përsëri në Shqipëri dhe më shohin më rrallë kur luaj. Më së shumti i ndjekin ndeshjet e mia nëpërmjet mjeteve të informacionit apo internetit, pa harruar që telefonatën e parë pas ndeshjeve, jam “i detyruar” t’ua bëjë atyre.

Kontrata e parë?

Isha njëzet vjeç kur fillova profesionizmin e vërtetë me ekipet e të rriturve. Lidha një kontratë me skuadrën e Centos, në Ferrara dhe kam plot dhjetë vjet që luaj si profesionist me skuadra të ndryshme. Kam shëtitur gjithë Italinë, nga veriu në jug, në kategoritë B dhe A2. Sot luaj me Brescian në serinë A dhe jam shumë i kënaqur me arritjet e skuadrës dhe ato personale. Kemi ardhur nga seria A2 vitin që shkoi dhe, edhe pse është viti i parë në kampionatin më të fortë e të vështirë, skuadra po paraqitet me mjaft sukses. Mjaft t’ju kujtoj që jemi në mesin e renditjes së klasifikimit dhe përveçse me Armanin e Milanos, kemi fituar me ekipet më të forta të Italisë.

Sa lojtarë të huaj ka Brescia?

Gjashtë, pesë lojtarë amerikanë dhe një shqiptar, të tjerët janë italianë. Jemi një grup kompakt, edhe pse nga viti i kaluar, kemi ngelur vetëm dy lojtarë, unë dhe kapiteni Moss, i cili është nga amerikanët më të sukseshëm që kanë luajtur në Itali në vitet e fundit: ka dalë katër herë kampion.

Megjithatë, mund të themi se lojtari simbol i skuadrës breshiane është Bushati. Ti e di se për çfarë e kemi fjalën.

Eshtë nder i madh për mua që të jem lojtari i cili ka luajtur më shumë ndeshje me fanellën e Brescias. Vjet bëra 100 ndeshje me ngjyrat e ekipit dhe klubi më organizoi një festë, në pallat të sportit. Targën simbolike me emrin tim dhe numrin e ndeshjeve pata nderin ta marr nga duart e legjendës së basketbollit italian dhe europian, Dino Meneghin. U mallëngjeva kur pashë fëmijët e vegjël që mbanin veshur fanellën me emrin tim dhe me numrin 100 mbi supe. Janë gjëra të vogla, por që mbartin një mesazh dhe domethënie të madhe. Vërtet që jemi profesionistë dhe mund të ndrrojmë skuadra të ndryshme, por ngrohtësia dhe mirënjohja e klubit si dhe e tifozëve të Breshias kanë lënë gjurmë në basketbollistin dhe njeriun Bushati. Ndihem i privilegjuar.

E kemi vënë re edhe ne. Kur skuadrat rreshtohen në fushën e lojës për të filluar ndeshjen, ti je i fundit, emri i të cilit thirret nga spikeri i pallatit të sportit. Kjo ndodh sepse je senatori i ekipit dhe lojtari që më tepër se të tjerët, i ke dhënë aq shumë skuadrës ndër vite?

Eshtë një shenjë respekti që më bëjnë shokët e skuadrës, klubi si dhe tifozët e zjarrtë : jam i vetmi lojtar që kam luajtur me Brescian në të gjitha kategoritë, që kur ajo erdhi nga kategoria B në A2 si dhe nga A2 në serinë A.

Meqë jemi te tifozët, Franko, kemi parë dhe ndjerë që jeni idhulli i tyre. Britma “Franko ale-Franko Bushati” ndihet sa herë që ti shënon kosh apo mbron me rreptësi.

Marrëdhëniet e mia me tifozët kanë qenë të shkëlqyera, në çdo skuadër ku kam luajtur. Kam ngeluar në kontakt dhe kam miq në çdo skuadër dhe qytet ku kam djersitur. E njëjta gjë ndodh edhe me tifozët breshianë. Fakti që unë luaj për të katërtin vit me Brescian vlerësohet me të tilla forma nga të gjithë ata. Ndoshta, edhe sepse kur nuk kam qenë dakort me kritikat e tyre ndaj ekipit,- gjatë një sezoni të gjatë e të vështirë, ka raste që ndodh edhe të diskutosh me tifozët e tu, – ua kam thënë në sy mendimin tim pa iu shmagur përgjegjësive të mia si lojtari më i vjetër i skuadrës. Tifozët tanë bëjnë shumë për skuadrën. Jo gjithandej, në pallatet e sportit vrapojnë katër apo pesë mijë spektatorë, siç ndodh me ata. Entuziazmi i tyre është ndihmë e madhe për sukseset që kemi arritur ndaj ekipeve me emër të Avellinos, Venecias, Sassarit, Reggio Emilias apo skuadrave të tjera.

Ndaj dhe ti, shpesh herë kur shënon kosh, kthehesh nga tifozët dhe i përshëndet duke ngritur grushtet lart?

Eshtë diçka instiktive, jo e studjuar. Tifozët janë lojtari i gjashtë në lojë dhe kjo nuk duhet harruar. Ne jemi profesionistë dhe paguhemi për punën që bëjmë, ndërsa sakrificat më të mëdha i bëjnë ata. Ndaj, sa herë që shënoj, më vjen natyrshëm të ndaj kënaqësinë e koshit me ata, të cilët nuk reshtin së brohorituri. Plus që unë, edhe pse jam formuar në Itali si basketbollist, kam gjak shqiptari dhe dihet që ne si popull, jemi shumë entuziastë dhe festivë. Brazilianët kanë sambën, ndërsa ne festojmë në mënyrë luftarake… hahhaha. A ka më bukur se sa të festosh me tifozët e tu?

Nofkën Kobra ta kanë ngjitur ata?

Kobrën ma ngjiti një gazetar sportiv, gjatë një transmetimi në televizion. Qëlloi që gjatë një ndeshje i rrëmbeva topin kundërshtarit dhe opinionisti u shpreh se “Bushati është më i shkathët se sa vetë kobra”. Nga ajo ditë, Kobra u bë emri im i dytë.

Pse numri 70?

Gjithandej ku kam luajtur kam mbajtur numrin 7. Kur erdha te Brescia për të tretën herë, para dy vjetësh, shtatën e mbante një djalë i ri dhe i talentuar, ndaj, pa u menduar shumë, i shtova shtatës edhe një zero dhe ja ku jemi te 70-a.

Kush janë objektivat sportive të Bushatit?

Janë të njëjta me ato të ekipit. Pas paraqitjes dinjitoze që bëmë në Kupën e Italisë, ku u eliminuam në gjysëm finale vetëm në sekondat e fundit të ndeshjes me Sassari-n, ekip tepër i fortë që prej vitesh lufton për titullin kampion dhe luan në kupat e Europës, objektivi kryesor është që të kualifikohemi në play off. Personalisht, pikësynimi im është që të përmirësohem gjithnjë e më tepër dhe të rris rendimentin në fushën e lojës.

Kush është slogani yt në lojë?

Kam arritur çdo gjë me punë, sakrifica, disiplinë dhe egoizëm sportiv, ndaj mendoj se shprehja “mos u dorëzu kurrë”, më përshtatet më së miri.

Çfarë do t’i këshilloje ndonjë të riu që do dëshironte të fillonte karrierën e basketbollistit?

Asgjë të veçantë, përveç atyre mësimeve që më ka dhënë babai im si dhe trainerët ndër vite: punë dhe disiplinë. Të kesh talent nuk mjafton, janë disiplina dhe stërvitja intensive ato që formojnë sportistin. Personalisht, kam përfituar jo vetëm nga eksperiencat e shokëve të skuadrave ku kam luajtur, por edhe nga kundërshtarët me të cilët jam përballur. Gjithsesi, është gabim të mendohet se sporti në nivel agonistik është vetëm punë dhe lodhje. Përveçse në ndeshje dhe stërvitje, me shokët e ekipit dëfrehemi edhe në kohën e lirë që ndajmë së bashku, sidomos kur udhëtojmë drejt qyteteve të tjera, për transfertat e rradhës. Dikur ndodhte më shumë kjo gjë, sot, shumë kohë na marrin iphon-et apo ipad-et.

Pse mban atlete të kuqe, supersticion?

Dhuratë e motrës për të vëllain.

Cilat janë hobby-t e Bushatit, me se merret ai në kohën e lirë.

Duke qenë profesionist, kohë të lirë kam shumë pak. Si gjithë moshatarët e mi më pëlqen të udhëtoj, të dëgjoj muzikë duke ngarë biçikletën apo duke shëtitur qenin tim, Tamin, në një park plot gjelbërim, pranë lagjes ku banoj. Kur mbaron kampionati, në verë, i lejoj vetes ndonjë udhëtim…

Ndjek shumë futbollin dhe jam tifoz i çmendur i Milanit dhe i kombëtares shqiptare. Për fat të keq, ndeshjet e kampionatit europian të Francës i pashë nga televizori, sepse ato ditë qershori kisha finalet e play-off për t’u ngjitur në serinë A dhe nuk mund të lëvizja. Dua të them se himnin kombëtar e kam kënduar jo vetëm si lojtar basketbolli, por edhe si tifoz futbolli…

Ti ke edhe nënshtetësi italiane, apo jo? Nuk bëre tifo për Italinë, në europian?

Unë jam shqiptar, jam krenar që jam i tillë dhe që mbroj ngjyrat e vendit tim në ndeshjet ndërkombëtare. Edhe në kampionatin italian, nuk ka më bukur se sa kur ti luan dhe syri të zë ndonjë flamur shqiptar në pallatet e sportit apo kur, pas ndeshjeve, dikush vjen dhe të përshëndet në gjuhën e nënës dhe të thotë se ka qenë tifoz edhe i babait tënd. Po shtoj edhe diçka për babain tim: plot herë kam takuar edhe trainerë apo ish-basketbollistë italinë që kanë luajtur kundra Partizanit në Tiranë dhe iu kujtohej jo vetëm loja befasuese dhe e shpejtë e Partizanit, por edhe tifozllëku i çmendur i shqiptarëve… Të dëgjosh fjalë të bukura për babain dhe shokët e tij nga specialistë të kalibrit të Valerio Bianchinit, Ario Costës apo Walter Magnificos është vërtet mallëngjyese.

Vjen shpesh në Shqipëri?

Vij çdo verë, por do doja të vija edhe më shumë, sepse aty kam shokët dhe kujtimet e fëmijërisë. Shqipëria është shumë e bukur dhe kënaqem në plazhet e saj…

                               

***********

Biseda me  Franko “Kobra” Bushatin merr fund këtu. Teksa jemi duke folur, një vogëlush afrohet dhe i kërkon të bëjnë një foto. Më pas edhe dy të tjerë dhe pas tyre edhe një çift tifozësh. Eshtë momenti kur pas ndeshjes, lojtarët e ekipit ku luan Franko japin me autografe dhe bëjnë foto me tifozët, por sidomos me fëmijët e vegjël, të cilët vrapojnë të lumtur me topa në duar në parketin e pallatit të sportit. Atmosfera është me të vërtetë e bukur dhe skena që shohim vlen po aq sa dhe intervista jonë, ndaj dhe e mbyllim me kaq.

Natyrisht, duke i uruar suksese sportistit tonë. Forca Bushat!

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image