Frankfurti “zhyt” Leverkusenin, Lajpcig konfirmohet si “fuqi” e katërt

Janë mbyllur edhe dy sfidat e fundit të javës së 15-të në Bundesligën gjermane. Ajntrahti i Frankfurtit është rikthyer te fitorja pas dy humbjesh radhazi, duke mundur Leverkusenin me shifrat 2-1. Për miqtë kjo humbje i fundos akoma më shumë, teksa largohen në plot 10 pikë nga zona Champions tashmë.

Pjesa e parë ishte mjaft e luftuar, me një Leverkusen më dominues, por ata që u treguan cinikë ishin lojtarët e Frankfurtit. Në minutën e 28-të ishte qendërmbrojtësi, Dani Da Kosta, i cili shënoi golin e parë të sfidës, pas një pasimi nga Filip Kostiç, duke çuar kështu vendasit në avantazh.

Fraksioni i dytë, ishte i kundërt nga i pari, pasi Frankfurt edhe pse në avantazh e shtoi nivelin e saj të lojës dhe në minutën e 57-të dyfishoi shifrat me anë të Filip Kostiç. Gjithsesi, Leverkusen reagoi tetë minuta më pas, teksa në minutën e 65-të ishte Karim Belarabi, i cili ngushtoi diferencën. “Aspirinat” provuan deri në fund, por sfida u mbyll me shifrat 2-1.

Ndërkohë, më herët Lajpcig ka shkatërruar Maincin me shifrat 4-1, duke u konfirmuar “fuqia” e katërt në Bundesligë. Ishin sulmuesit, Timo Verner dhe Jusuf Poulsen që vendosën fatet e takimit, me nga një dygolësh për secilin në çdo pjesë, ndërsa për Mainc shënoi Onisivo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *