Frankfurti nervoz, Bobiç: Bajerni nuk na respektoi!

Bajerni i Mynihut është etiketuar si një klub që nuk tregon respekt nga drejtori i futbollit i Aintrajhtit të Frankfurtit, Fredi Bobiç, për shkak të daljes së parakohshme të lajmit se Niko Kovaç do të bashkohej me klubin bavarez. Që të enjten në mbrëmje Bild dhe Kicker e bënë të kryer kalimin e Kovaçit në Mynih, ndërsa bajerni e konfirmoi zyrtarisht dje, duke komunikuar firmën 3-vjeçare me kroatin.

Kjo gjë zemëroi pa masë Bobiçin, i cili akuzon Bajernin se ka menduar vetëm për vete gjatë këtij procesi: “Oferta na befasoi në këtë moment të sezonit, por i detyrohemi shumë Kovaçit. Momenti nuk ishte i duhuri dhe fakti që informacioni u bë publik – sigurisht jo nga Frankfurti, por nga Mynihu – është një mungesë e madhe respekti dhe sjellje aspak profesionale.

“Ne kemi një ndeshje të rëndësishme përpara në Leverkuzen dhe javën e ardhshme ndaj Shalkes në kupë, ndaj ato duhej të ishin qendra e vëmendjes. Bajerni mendoi vetëm për vete, asnjë sekondë për Frankfurtin. Kam respekt për kolegët në Mynih, por nëse duan diçka, duhet të na telefonojnë, gjë që nuk e kanë bërë. Nuk do të flasim tani me Bajernin, ppor në të ardhmen presim dialog”, deklaroi Bobiç, në konferencën e djeshme për shtyp, ku trajneri Kovaç duhej të fliste për ndeshjen e radhës në kampionat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *