Francisco na fal, por duhet të shesim…! E bëjnë “kuçedër”, ndërrimi i jetës së trajnerit 21-vjeçar dhe sajesa përfituese

Një lajm i trishtë ka ardhur sot nga Spanja, atje ku është mësuar se një trajner 21-vjeçar ka ndërruar jetë. Bëhej fjalë për Francisco Garcian, që sot e keni parë në shumë lajme si viktimën më të re të Koronavirusit.

Por si po përkëdhelet ky panik i kësaj pandemie, për ta bërë “kuçedër” dhe tmerrësisht frikësuese për njerëzit? Për sa kohë ekziston frika e madhe dhe parimi “lajmi i keq është lajmi i mirë”, atëherë do të gjeni pafundësisht materiale që të zhysin në një psikologji edhe më të rëndë në këto kohë.

Ajo që bie menjëherë në sy është fakti që një 21-vjeçar ka qenë trajner. Atëherë, përse? Kjo pasi Francisco nuk mund të luante më, pasi ishte diagonstikuar me kancer. Pas edhe infektimit me Koronavirusin, sistemi i tij imunitar e kishte të pamundur që të përballonte më shumë, për t’u larguar nga kjo botë.

E megjithatë në media pjesa më e rëndësishme dhe që e bëri Franciscon të hiqte shpejt dorë nga ëndrra për t’u bërë lojtar i madh, trajtohet si një gjë dytësore dhe e parëndësishme, pavarësisht se merr edhe më shumë jetë. Për të gjithë mediat, është viktima më e re e goditur nga Koronavirusi. Kjo e fundit shet më shumë në këto kohë dhe kurrsesi nuk mund të kishte një tjetër artikulim, duke hedhur tutje saktësinë dhe profesionalizmin. Në vitin 2020, të pushtuar nga rrjetet sociale dhe të ushqyer në këtë mënyrë, asnjëherë nuk mund të mendohet pozitivisht. Francisco na fal, por duhet të shesim… /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *