Francë-Kroaci, finalja e diferencave të mëdha

0

Franca dhe Kroacia. Dy skuadra me pak ngjashmëri, dy anët e ndryshme të medaljes së titullit botëror. Eksperienca kundër talentit të ri, historia përballë atyre që duan të hyjnë në legjendë. Vertikalizimi dhe loja kreativë, përballë shpërthimit dhe shpejtësisë.
Dy skuadra totalisht të ndryshme, në garë për të njëjtin objektiv. Edhe metoda se si skuadrat u kualifikuan në finale ishte e kundërt. Dy rrugë të ndryshme, mes diferencave të mëdha, për ti shkuar deri në fund turneut. Udhëtimi drejt ëndrrës përfundon të dielën në Moskë.

Dy breza të ndryshëm
Kroacia udhëhiqet nga dy veteranë të mesfushës, Modriç 32 dhe Rakitiç 30 vjeç. Heroi i gjysmëfinaleve ishte 32-vjeçari Manxhukiç. Mes elementëve më të rëndësishëm janë të tjerë lojtarë me eksperiencë, nga Subasiç, te Lovren e Vida. Një ekip me moshë relativisht të lart, krejt ndryshe nga Franca që moshën mesatare e ka 22-vjeç dhe shumë prej emrave të rëndësishëm janë në fillimet e karrierës. Rasti konkret është 19-vjeçari Kilian Mbape.

Eksperienca në finale
Franca do të luajë finalen e tretë në gjashtë edicionet e fundit të Kupës së Botës. Kroacia në anën tjetër është në ndeshjen e parë historike. Sfida e 15 korrik do të jetë një mundësi për kroatët që të hakmerren për gjysmëfinalen e Botërorit 1998. Në atë ndeshje, Turam shënoi dy golat e vetëm me “gjelat” dhe e dërgoi Francën në finalen që më pas e fituan përballë Brazilit. Hakmarrja mund të vijë pas dy dekadave në Rusi.

Fantazia përballë muskujve
E ndryshme mbi të gjitha mënyra e lojës. Kroacia e mbështet futbollin e saj te klasi i dyshes së mesfushës, Modriç dhe Rakitiç. Kontrolli i topit dhe përgatitja e shkëlqyer teknike karakterizojnë lojën e ekipit të Daliç. Në anën tjetër, Franca është veç muskuj dhe lojë fizike me emra si Pogba, Kante apo Matuidi. Pa harruar shpejtësinë vrasëse të Mbape. Kroacia dhe Franca janë dy të kundërta që premtojnë spektakël në duelin për trofeun.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.