Franca, Pogba kërkon Botërorin për të kompensuar humbjen e Europianit

Finalja e Kupës së Botës është një mundësi unike për të fituar trofeun më prestigjoz dhe Pol Pogba nuk ka ndërmend ta shpërdorojë shansin e dhënë. 25-vjeçari ishte një prej lojtarëve kyç të suksesit përballë Belgjikës, me “gjelat” që kanë shansin të përsërisin suksesin e vitit 1998.

Mesfushori i Mançester Junajtid ishte gjithashtu pjesë e Francës që humbi 1-0 në kohën shtesë përballë Portugalisë, në finalen e Euro 2016. Një disfatë e hidhur përballë publikut të tyre, që nuk është harruar dhe të cilën Pogba kërkon ta kompensojë duke fituar Kupën e Botës.

“Është një ndjesi e bukur, ndihemi mirë, por kemi ende edhe një hap për të hedhur”, tha Pogba për gazetën franceze “L’Equipe”. “Jam i kënaqur, por ndjesia nuk është si në Europian. Atje kishim shansin të fitonim në finale, por shpërdoruam një arritje që do të ishte shumë e bukur. Pas asaj që nddhi në vitin 2016 nuk duhet ta humbasim këtë mundësi të dytë”.

Mesfushori e ka të qartë çfarë i nevojitet skuadrës së Deshamp në duelin e së dielës në Moskë. “Duhet të jemi të përqendruar. Vuajtëm pak në gjysmëfinale, por tashmë duhet të mendojmë vetëm për finaen. Në 2016 i shkuam fare pranë fitimit të një trofeu, por nuk ia dolëm. Jam i lumtur për atë që kemi arritur, por do të isha edhe më i lumtur nëse fitojmë më 15 korrik”, shtoi ylli i Francës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *