Franca ia mbyll derën “përjetësisht”, shpërthen Benzema: Më lini në një Kombëtare tjetër!

Karim Benzema nuk mund të luajë më me Francën deri në fundin e karrierës së tij si futbollist. Këtë la të nënkuptohet presidenti i Federatës Franceze të Futbollit. Gjithçka lidhet me një skandal seksual të ndodhur në vitin 2015 atje ku sulmuesi i Realit të Madridit ishte protagonist së bashku me Mathieu Valbuena.

E që nga ajo kohë Benzema ka pritur që ngjarja të harrohet dhe t’i jepet një mundësi e dytë. Por sipas Noel le Graet kjo nuk ka për të ndodhur.  “Karim Benzema është një lojtar shumë i mirë. Unë kurrë nuk kam dyshuar në cilësitë e tij. Po tregon te Real Madridi se ai është një nga lojtarët më të mirë në rolin e tij. Por aventura e tij te Francës ka përfunduar”, tha Graet për “RMC Sport”.

Nuk vonoi shumë dhe erdhi kundërpërgjigja e ashpër e Benzemas. Nëpërmjet një reagimi në “Twitter” i kërkon lejen Francës që ta lejojë në një Kombëtare të tjetër, megjithëse kjo bie ndesh me rregullat e FIFA-s: “Nëse mendoni se ka mbaruar, atëherë më lini që të luaj për një nga vendet që kam të drejtë dhe do ta shohim”, ka thënë Benzema, ndërsa origjina e tij lidhet edhe me Algjerinë. /Sport Ekspres/