FOTO | Sarri “out”, Zidan “in”: zbuloni Çelsin e ri

Dashuria mes Çelsit dhe Mauricio Sarrit po shkon drejt fundit dhe trajneri italian mund të mos jetë më në stolin e “Bluve të Londrës” në sezonin e ardhshëm. Drejtuesit kanë zgjedhur dhe pasardhësin e tij dhe ai është Zinedin Zidan.

Klubi anglez po tenton të arrijë akordin me trajnerin francez dhe kanë gati disa blerje të mëdha në verë për t’i mbushur mendjen fituesit të 3 Champions Ligave të fundit me Realin. “The Sun” ka përgatitur një formacion të mundshëm të Çelsit të ri, që në letër duket i frikshëm.

Sipas gazetës angleze, Eden Hazard mund të heqë dorë nga dëshira për të luajtur me Realin dhe mund të vazhdojë të qëndrojë në Londër, nëse Zidan zgjidhet trajneri i ri i ekipit.

Kristian Pulishiç është blerja e parë dhe amerikani do të zbarkojë në Londër në fund të sezonit, ndërsa Isko mund të jetë goditja e radhës. Spanjolli po kalon momentet të vështira me kampionët në fuqi të Europës. Santiago Solari nuk e preferon më dhe fantazisti ka përfunduar në tribunë.

Ai do e mirëpriste një kalim në Premier Ligë dhe një bashkim me trajnerin që e i dha besim dhe e ktheu në një lojtar kyç te “Los Blancos”.

Emri tjetër është Mauro Ikardi. E ardhmja e tij është larg Interit, ndërsa klubi zikaltër do preferonte ta shiste në një klub jashtë Italisë.

Për krahun e majtë ka dy preferenca: Aleks Tejes i Portos dhe Aleks Sandro i Juventusit, ndërsa Matias Ginter i Gladbahut është objektivi kryesor për qendrën e mbrojtjes.

Tashmë pritet të shihet ecuria e ekipit me Sarrin në krye. Kualifikimi në Champions është detyrim, ndërsa mund të mos mjaftojë as renditja në një nga katër vendet e para, për të nisur më pas një epokë të re më Zinedin Zidan në krye të stolit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *