Formacioni i mundshëm/ Zgjedhjet e Rejës, ja si pritet të rreshtohen kuqezinjtë ndaj Andorrës

Shqipëria do të zbresë në mbrëmjen e sotme në “Elbasan Arena” për tu përballur me Andorrën, ndaj të cilëve Reja ka premtuar përqendrim maksimal dhe seriozitet për të dalë me tre pikë. Një fitore do i shërbente kuqezinjve për të arritur objektivin e tyre për ta mbyllur fazën kualifikuese të Euro 2020 në vendin e tretë në grup.

Duke qenë se Shqipëria do të luajë më datë 17 nëntor kundër gjelave të Francës, ku do të inagurojnë edhe stadiumin më të ri të kuqezinjve, Reja pritet të hedhë nga minuta e parë lojtarë që nuk kanë pasur minuta të shumta me Kombëtaren, për të mbajtur kështu më të freskët 11-shen bazë ndaj Francës.

Në portë pritet të jetë nga minuta e parë Berisha, që ka vendin e titullarit në Serie A me ekipin e Spalit, ndërsa mbrojtja me shumë mundësi do të jetë e paprekur me Gjimshitin, Ismajlin dhe Dërmakun titullar. Reparti më i prekur nga ndryshimet pritet të jetë mesfusha, ku nga fillimi i ndeshjes pritet të zbresin në fushë Ramadani, Ndoj dhe Selahi, ndërsa krahët do të plotësohen nga Trashi në të majtë dhe Hysaj i rithyer në krahun e djathtë. Sa i përket sulmit katër futbollistë janë në garë për dy vende në fushën e lojës. Kështu Uzuni do të “luftojë” me Manajn, ndërsa Balaj ëstë në balotazh me Kamberin, për të cilin ende nuk është marrë konfirmimi 100%, për ta nisur nga minuta e parë ndaj Andorrës. /Sport Ekspres/