Fokusi te taktika, Ademir humbet Lushnjen

Mbrojtësi brazilian pret përgjigjen e rezonancës nga Kroacia, ndërkohë që trajneri Mezani me skuadrën kanë punuar me vendosjen në fushë një ditë më parë

Vladimir Prenga

Ndeshja me Lushnjen po afron për Laçin, që po vijon i qetë përgatitjet për këtë takim. Bardhezinjtë edhe dje kanë punuar në aneksin stërvitor dhe tashmë e gjithë puna është përqendruar në aspektin taktit të përgatitjes së ndeshjes me verdhejeshilët. Trajneri Gentian Mezani është parë dje të udhëzojë skuadrën e tij për lëvizjet në fushë dhe për mënyrën se si skuadra do të dalë përpara, por edhe si duhet të përballohen manovrat sulmuese të kundërshtarit. Nga ndeshja e kaluar me Flamurtarin pritet që të mos ketë ndryshime të shumta në formacion, ndërkohë që sot do të shihen më së miri ata që pritet të zbresin në fushën e lojës nga minuta e parë. Prapavija do të ketë një ndryshim me Fangajn në të djathtë dhe Qaqin në qendër. Konfigurimi i mesfushës është ai që duhet parë. Atmosfera në ekip është mjaft e mirë, edhe pse së fundmi u barazua me Flamurtarin në Krujë. Futbollistët janë optimistë që nesër do mund të marrin një rezultat pozitiv në transfertën me Lushnjen.

INFIERMIERIA – Dje është parë të stërvitet edhe mesfushori Kejvi Bardhi, që u dëmtua në trinë në ndeshjen me Skënderbeun në Korçë. 21—vjeçari ka kryer stërvitje i diferencuar dhe së shpejti pritet të bashkohet me grupin. Mungesë e sigurt për ndeshjen me Lushnjes shihet mbrojtësi Ademir Souza, që as dje nuk ka dalë në stërvitje. Braziliani ka bërë rezonancën magnetike dhe pret përgjigjen e mjekësve. Pritet që ajo të vëzhgohet nga një mjek në Kroaci dhe më pas të vijë përgjigja mbi shkallën e dëmtimit. Kjo praktikë është ndjekur edhe më parë me mbrojtësin Qaqi, të cilit iu tha para nisjes së sezonit se duhet të operonte meniskun, por nga Kroaci i erdhi komunikimi se i duhet të pushojë dhjetë ditë dhe më pas gradualisht të nisë stërvitjen. Tashmë është Souza ai që pret përgjigjen e mjekut kroat.

STADIUMI – Pas ndeshjes me Vllazninë, në fushën e stadiumit të Laçit u mboll bari dhe tashmë gjendja e tapetit është shumë më e mirë. U bënë rreth tre javë që kjo ka ndodhur dhe pritet që javës së ardhshme të shihet më mirë gjendja e fushës dhe të merret mendimi i specialistëve. Me shumë mundësi ndaj Kamzës do të luhet në stadiumin e Laçit dhe do të kërkohet që ai takim të fitohet me çdo kusht, pasi ndeshjet në shtëpi nuk duhen diskutuar pavarësisht kundërshtarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *