Flet trajneri i Tiranës për derbin, Egbo: Askush nuk ndryshon asgjë, Partizani është thjesht i radhës

Emanuel Egbo do të jetë trajneri i Tiranës sa i përket derbi me Partizanin. Një ndeshje derbi që do të mbahet me një teknik provizor, që do të kërkojë të shkruajë historinë, pavarësisht momentit jo të mirë të bardhebluve.

Në intervistën e dhënë për “Top Channel”, Egbo kërkon të heq përgjegjësinë nga shpatullat e lojtarëve, për të mos i rënduar më tepër, duke e quajtur Partizanin vetëm si rivalin e radhës.

“Është normale që duhet të sakrifikojmë. Të sakrifikojmë të gjithë si skuadër. Nuk kemi shumë se çfarë të bëjmë, kjo është situata. Duhet të japim maksimumin që të ecim para. çdo ndeshje është e vështirë jo vetëm derbi. Por kjo përballje me Partizanin është thjesht ndeshja e radhës. Vijmë nga një situatë e vështirë, por çdo gjë mund të ndodh, futbolli është i tillë, i ka të gjitha rezultatet brenda. Nuk ka rëndësi sa ndeshje ke fituar më parë. është skuadra që e bën një ndeshje të vështirë apo të lehte.

Nuk kam shumë se çfarë të ndryshoj nga Mema apo Ahmataj, as unë dhe askush tjetër që mund të vinte. Vetëm 3 ditë kohë kishim për t’u përgatitur në derbi. Taktika nuk është e rëndësishme nëse nuk jep maksimumin. Përsa i përket qëndrimit tim në krye të pankinës ose jo, mund të them se do t’i marrim ndeshjet një nga një e më pas të shohim. Vendimi do të jetë i klubit, jo i imi. Jam këtu për të ndihmuar skuadrën është kënaqësia ime. A do ta fitojë Tirana këtë derbi? Inshallah kismet…(shqip)”, tha Egbo. /Sport Ekspres/