Flet si president “nderi”, Gjici: Sforco e madhe të financosh, ndaj Partizanit për të shijuar spektaklin

Kukësi është rikthyer nga Antalia ku zhvilloi fazën përgatitore për pjesën e mbetur të Superiores. Verilindorët do të luajnë ndeshjen e radhës në kampionat kundër Partizanit në “Air Albania”, ndërsa lojtarët kanë zhvilluar sot seancën e parë stërvitore për këtë përballje. I pranishëm me skuadrën ishte edhe presidenti i klubit Safet Gjici, i cili ka folur më pas për “Top Channel”.

Gjici foli për gjendjen e skuadrës, ndërsa tregon edhe se sa e vështirë është që bashkia të financojë klubin. Gjithashtu ka folur edhe për ndeshjen e radhës, duke ftuar tifozët që të vijnë në “Air Albania” për takimin kundër Partizanit, me këta të fundit që i sheh si kundërshtar të drejtpërdrejtë për titullin kampion.

“Skuadra është në formë mjaft të mirë, dhe mesa me kanë komunikuar drejtori dhe trajneri lajmi pozitiv është që nuk kemi pasur dëmtime. Ne penalizohemi sepse nuk kemi stadiumin tonë dhe na është dashur për dy vite, pra sezonin e kaluar dhe këtë aktual ta luajmë në stadium të ndryshme.

Unë jam president nderi sepse posti im tani është kryetar bashkie. Në të vërtetë bashkia ka disa aksione në klub por realiteti është që asnjëherë nuk kanë pasur kapacitetin për të financuar për klubin, as më parë e as tani ndaj duhet të pranoj që për dikë që financon është sforco e madhe.

Mendoj se deri në fund të kampionatit do rivalizojmë me Partizanin. I ftoj tifozët të jenë prezent në stadiumin e ri aty ku do të ndeshemi me ta dhe të na mbështesin. Të vijnë jo vetëm për të parë Air Albaninan por për të shijuar një ndeshje që unë mendoj se do jetë spektakolare’’, ka thënë Safet Gjici./Sport Ekspres/