Flasin heronjtë e Egnatias, Vangjel Mile: Baba, mos u mërzit!

0

Egnatia triumfoi dje ndaj Naftëtarit dhe në fund festa ishte e madhe dhe e merituar. Për Sport Ekspres folën disa nga protagonistët e këtij sezoni të shkëlqyer.

Trajneri Gjoni: Faleminderit të gjithëve, sezon i paharruar

Pas suksesit të merituar në konferencën për shtyp, trajneri i skuadrës fitimtare të Egnatias, Vladimir Gjoni, tha: “Merituam gjithçka. Në fushë, ishim dominues. Shënuam dhe e kthyem finalen në një ndeshje spektakolare. Mendoj, se futbollistët tanë, ja bënë tepër dëfryese zhvillimin e ndeshjes tifozëve tanë. Merita e tyre është e jashtëzakonshme. Sikurse mbështetja tepër e fuqishme që na ka dhënë Bashkia e qytetit dhe personalisht kryetari i saj z. Beqir Nuredini. E pranoj me çiltërsi se nuk e prisja kaq të zbehtë rezistencën e Naftëtari. Por, avantazhi jonë mendoj se erdhi nga shpirti i lartë i garës që na ka sjellë shpërblimin e merituar. Këtë fitore, këtë sukses, këtë sezon që sapo mbyllëm, do ta quaj të paharruar. Faleminderit futbollistëve, drejtuesve, tifozëve. Ky trinom ishte baza e këtij suksesi që e kemi arritur me shumë punë, mund e sakrifica të jashtëzakonshme”.

Vangjel Mile: Djali më solli fat, golat për tifozët

Vangjel Mile, autor i dy golave në finale, deklaroi: “Fanella që mbajti veshur djali im 3-vjeçar Marini me mbishkrimin “tifo për gjyshin, por Babi do të fitojë”, ka qenë një sugjestion i jashtëzakonshëm që e çoi në “kupë të qiellit” ambicien time për të shënuar e fituar. Zoti më nderoi mua dhe Egnatian. Kemi merituar gjithçka. Ndjehem shumë i emocionuar. E kam mbyllur sezonin me medalje kampioni dhe me një “duzinë” me gola (16 të tillë). Golat e mi ja dedikoj tifozëve të Rrogozhinës, ndërsa babait tim te stoli i Naftëtarit i them me dashuri e respekt “mos u mërzit”! Gjysma e suksesit tim te Egnatia është meritë dhe e “leksioneve” tuaja baba. Të pakursyera në çdo rrethanë të karrierës sime të gjatë kanë qenë këshillat e mbështetja që me ke dhënë. Këtë kurrë nuk do ta harroj…

Doçi: Egnatia, zgjedhje zemre

Ndjehem i lumtur për suksesin që kemi arritur. Mendoj se ka qenë zgjedhje zemre përfshirja ime te Egnatia. Jam përpjekur ta justifikoj më së miri besimin që më është dhënë. Erdhëm në këtë ditë jo rastësisht. Dua ta festoj gjatë këtë moment e ta ndaj me të gjithë ata që vërtetë duan që futbolli në Rrogozhinë të ketë një nivel më të lartë. Sezoni i ardhshëm?!…Shpresoj të jetë po kaq i mirë sa ky që mbyllëm sot (dje).    

Melani: Gola me përmasa “historike”

Fitorja e thellë na jep të drejtën ta quajmë historik suksesin  e daljes kampion. Në fakt, gjatë tërë sezonit kemi luajtur kështu. Ekipi mendoj se ka treguar disiplinë të lartë. Loja ka qenë shpërthyese e spektakolare. Kulmoi me përmasa vërtetë fantastike me këtë finale që na bën të ndjehemi krenar. Nga Korabi te Egnatia, unë mund të them se vlen më shumë shprehja e urtë e popullit… “afër detit, afër mbretit”  

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here