Flamurtari vuajti në portë, trajneri Daja zgjedh Hidin

Isli Hidi thuajse nuk ka luajtur fare në Shqipëri në dekadën e fundit, duke kaluar nga Ukraina në Qipro, aty ku ka gjetur parajsën e vet, sepse është stabilizuar prej vitit 2011, duke luajtur në 5 ekipe të ndryshme.

Sezonin e fundit portieri shqiptar ishte lojtar kyç te Olimpiakosi i Nikozisë, duke shkëlqyer, edhe pse në moshën 37-vjeçare. Fundi i karrierës nuk mendohet, duke parë rendimentin e tij, ndërkohë që edhe ofertat nuk i mungojnë, por Hidi tashmë mund të kthehet në Shqipëri.

Ish-portieri i kombëtares shqiptare ka pasur kontakte ditët e fundit me Flamurtarin, mëson Sportekspres.com. Është një nga kërkesat e trajnerit Ilir Daja, prezantimi i të cilit është çështje orësh.

Ish-trajneri i Skënderbeut kërkon eksperiencë duke nisur nga porta, ashtu si kishte Orges Shehin në Korçë. Pas largimit të Nurkoviçit, në Vlorë kanë mbetur vetëm të rinjtë Sali e Qirko, të cilët vështirë se mund ta mbajnë presionin e një sezoni të gjatë e sfilitës, ku kërkohet eksperiencë e madhe.

Me Hidin në treshen e portierëve, edhe Sali e Qirko do të rriteshin krah një portieri më emër e që ka dalë shumë herë kampion në karrierën e vet, ndaj pa dyshim që do të përfitonin, duke u aktivizuar gradualisht.

Kontaktet e para me Hidin kanë qenë pozitive, portieri nuk është kundër idesë së transferimit në Vlorë, por natyrisht kërkon garanci për një ekip të ndërtuar mirë dhe për seriozitet nga klubi. Nëse këtë javë nisin firmat e lojtarëve, është një hap përpara për të bindur edhe portierin veteran të transferohet në Vlorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *