Flamurtari, sulm për titull, mbrojtje për Kategori të Parë

0

Flamurtari mori 3 pikë të arta në Gjirokastër, që kthejnë qetësinë e humbur dhe japin optimizëm para sfidës delikate kundër Vllaznisë në Vlorë.

Megjithatë, trajneri Shpëtim Duro nuk mund të jetë i qetë, sepse ky Flamurtar nuk ndryshon kurrë kur bëhet fjalë për të pësuar gol me lehtësi të jashtëzakonshme.

Nuk bëhet fjalë për golin e shënuar nga Dejvi Bregu, sepse ishte një perlë, por për shumë situata të rrezikshme në zonë, ku Luftëtari mund të kishte shënuar edhe 3-4 gola, e pakta.

Flamurtari nga mesfusha e lart është një skuadër për titull, aq sa konkurron me Kukësin për sulmin më të mirë në Superiore. Mbrojtja? Rivalitet i egër me Luftëtarin e Korabin për bilancin tragjik të sezonit, 32 gola Flamurtari, 37 Luftëtari e 48 Korabi. Edhe në Gjirokastër paraqitja nuk ishte aspak e mirë, edhe pse rezultati flet ndryshe.

Nëse Luftëtari shënoi vetëm një gol, kjo nuk është fort meritë e kuqezinjve, sesa mungesë fati e Luftëtarit dhe paaftësi e sulmuesve vendas për të shënuar një “thes” me gola. Një moment Flamurtari goditi edhe traversën, por atë të portës së vet. Mersini është afruar n ë janar dhe ka shkëlqyer në krahun e majtë, ndërsa në të djathtin Jakovljeviç mundohet shumë dhe ndihmon edhe në aspektin sulmues, por qendra e mbrojtjes është problem i madh. Dëmtimi i Ilir Berishës ka krijuar një gropë të frikshme, me Veliun dhe Mauricion që shpesh bëjnë gabime të mëdha, ndoshta edhe për një arsye tjetër: në mesfushë nuk ekziston një lojtar i aftë të bëjë digën, me gjithë mesfushorët kuqezinj që janë të prirur të sulmojnë dhe vetëm veterani Kuqi di ta bëjë atë rol.

Edhe ish-kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, tashmë në rolin e analistit në Supersport, ka përmbledhur ndeshjen mes Luftëtarit e Skënderbeut, duke e vënë theksin te mbrojtja vlonjate, që sërish shfaqi shumë defekte: “Mendoj se Flamurtari luajti një pjesë të parë të dobët, sidomos në aspektin mbrojtës, sepse bënë shumë gabime dhe sulmuesit e Luftëtarit humbën shumë raste. Në pjesën e dytë Flamurtari reagoi dhe rigjeti dëshirën për fitore, ndërsa Shkodra i ktheu në lojë me atë gol fantastik. Fitorja u arrit pak me fat, por me vlerë të jashtëzakonshme. Flamurtari duhet të ndryshojë edhe më shumë, të përmirësohet, por kjo skuadër nuk është ndërtuar nga Duro dhe i duhet kohë. Më la përshtypje të keqe mbrojtja dhe kam frikë se gjithnjë do të jetë e tillë, duke lënë shumë hapësira e duke bërë shumë gabime”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here