Flamurtari-Skënderbeu nxehet keq, “lufta” nis në internet

Dhe pastaj themi pse acarohen tifozët! Flamutrari e Skënderbeu kanë nisur një luftë mediatike absurde, me Federatën në mes që rri e bën sehir, sepse realisht shumë gjëra i bën çorbë vetë.

Fillimisht FSHF i cakton ndeshje Skënderbeut për të mërkurën dhe pastaj ia çon të enjten, sepse harroi disa lojtarë të Skënderbeut luajtën dje.

Pastaj Vllaznia-Lushnja spostohet me një javë, vetëm 48 orë para ndeshjes, që nuk dihej ku do luhej. Mbjellja e barit ishte problem për Vllazninë, që një herë pranoi të luante në Korçë duke këmbyer fushën, por herën e dytë ka refuzuar të shkojë në Lushnjë.

FSHF fshihet pas argumentit se klubet ranë dakord, ndërsa Flamurtari-Luftëtari në fillim të sezonit nuk u postua një ditë më vonë sepse nuk pranonte Luftëtari, por ky është një argument pa asnjë logjikë dhe këtu ka të drejtë Flamurtari, sepse ne çdo javë shohim ndeshje ëq kalojnë nga e shtuna të dielën apo të hënën, për të drejta televizive, për kërkesa klubesh a ç’të dalë.

Vlonjatët tashmë janë bërë me hije, çdo gjë u duket tendencioze, ndaj kanë reaguar, por ka ndërhyrë në debat edhe Skënderbeu, edhe pse realisht do të bënte më mirë mos të merrej fare me historitë e Flamurtarit me FSHF-në.

Me një deklaratë për shtyp sot, Skënderbeu hedh poshtë aludimet vlonjate se po favorizohet Skënderbeu, duke sqaruar se lëvizjet në kalendar për Skënderbeun janë të detyruara, nga pjesëmarrja në Europa League dhe nga fakti që disa lojtarë luajnë nëpër kombëtare.

Menjëherë ka reaguar Flamurtari, duke ia kthyer Skënderbeut: “Çdo deklaratë ka pasur për qëllim denoncimin për standardet e dyfishta apo shumëfishta të FSHF-së dhe përgënjeshtrimin e deklaratës së sotshme FAKE mbi ndjeshmërinë e FSHF-së. Duke shprehur keqardhjen për ndërhyrjen tuaj nga një këndvështrim i juaji, i gabuar ose jo, dhe duke ju kujtuar se “qarja” nuk është pjesë e karakterit të skuadrës dhe qytetit të Vlorës, ju ftojmë të zbardhni edhe marrëveshjen midis dy klubeve tona për shtyrjen e ndeshjes, sipas pretendimeve të FSHF-së për konsensusin. Në këtë mënyrë mund të zbardhim të vërtetën për opinionin publik”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *